Google search engine
Home Aktualitet Zbulohen të tjera detaje të forta për vjedhjen e milionave në kasafortë/...

Zbulohen të tjera detaje të forta për vjedhjen e milionave në kasafortë/ Si u zbulua grupi i ‘Rrem Paturrit’. Fikën dritat për të mos u kapur nga kamerat, por i tradhtuan …

0
309

Grabitën 13 milionë lekë në Postë, lihen në burg 5 të dyshuarit. Gjykata e Krujës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për grupin e “Rrem Paturrit”, bashkë me rojën i dyshuar si bashkëpunëtor.

Andi Rexhepi, i njohur ndryshe dhe si Rrem Poturri, dyshohet jetë kreu i grupit. Ishin shenjat e gishtërinjve të këtij të fundit në kasafortën e Postës, që çuan në zbulimin e ngjarjes së ndodhur më 4 nëntor. Togat e zeza lanë në qeli Andi Rexhepin, 30 vjeç; Mark Cakën, 33 vjeç; dhe Gazmir Sakën, 32 vjeç, si autorë kryesorë të grabitjes.

Të njëjtën masë sigurie, gjyqtarja Enkeleda Hoxha caktoi edhe për Bujar Tafën dhe shtetasin me iniciale A.L., roje në magazinat ku autorët grumbullonin sendet e vjedhura. Më herët, Gjykata kishte lënë në burg edhe rojën private të Postës, Besnik Parruca, i arrestuar menjëherë pas zbulimit të ngjarjes, ndërkohë që në kërkim mbetet specialisti i sallës së monitorimit të shoqërisë private, që kishte ruajtjen e institucionit.

parate

Sipas Policisë dhe Prokurorisë së Krujës, Andi Rexhepi, i njohur edhe si “Rrem Paturri”, qëndronte në krye të grupit me veprimtari të theksuar në fushën e grabitjeve në disa zona të vendit. Ata u arrestuan të premten nga Policia, e cila arriti të gjejë edhe një pjesë të parave të vjedhura nga Posta. Ndërkohë që në banesat e tre anëtarëve kryesorë të grupit të hajdutëve u kapën edhe 3 armë zjarri me silenciatorë, minë me telekomandë, dy automjete e prova të tjera të vlefshme, që shërbejnë për hetimin.

Ky grup, sipas Policisë, rezulton të ketë kryer edhe një sërë grabitjesh të tjera, në disa qytete të vendit, që nga Durrësi, Kavaja, Gjiri i Lalzit, Vora, Kamza e Mirdita. Ndërkohë, Andi Rexhepi (Paturri) ka qenë bërë personazh në median greke disa vite më parë, pasi ka grabitur shtëpinë e këngëtarëve të famshëm.

Burime nga grupi i hetimit thanë për gazetën se kreu i grupit kriminal është Andi Rexhepi (Paturri), banues në Burizan të Krujës, i skeduar për disa vjedhje me armë në Greqi dhe Shqipëri. Ishte pikërisht, Andi Paturri, që pavarësisht eksperiencës në këtë fushë, gaboi rëndë duke lënë shenjat e gishtërinjve në kasafortën e Postës Shqiptare në Krujë. Të njëjtat burime thonë se ai ishte arratisur nga një burg i sigurisë së lartë në Greqi tri vite më parë, pasi vuante dënimin për akuzën e vjedhjes së vilave në Athinë.

Mëngjesin e katër nëntorit, Paturri dhe bashkëpunëtorët e tij, për të shmangur kamerat e sigurisë, fikën dritat e godinës së Postës Shqiptare dhe më pas u futën në ambientet e brendshme, duke grabitur shumën prej 13 milionë lekësh, të cilat ishin paratë e pensioneve.

Dyshohet se grabitësit u informuan për mbërritjen e parave nga Besnik Parruca, roje në Postën e Krujës, i cili u prangosur menjëherë pas ngjarjes për “Shpërdorim detyre”. Dyshimet e grupit hetimor janë se Andi Paturri (Rexhepi) bashkë më grupin e tij, të kenë qenë autorë edhe në grabitjen e disa bankomateve në fillim të janarit të këtij viti, në Tiranë dhe Durrës./ Panorama

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here