Reshjet intensive të shiut dhe erërat e forta kanë shkaktuar probleme të shumta në Durrës, Elbasan dhe Gjirokastër. Burime bëjnë më dije se puna në Portin e Durrësit është ndërprerë për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, të cilat e kanë bërë të pamundur vazhdimin e aktivitetit në portin më të madh të vendit.
Ndërkohë, janë shënuar dhe ndërprerje të energjisë elektrike në 23 fshatra të Gjirokastrës dhe në 7 fshatra të Elbasanit. Në Tepelenë, era e fuqishme ka çuar në rrëzimin 3 shtyllave të tensionit të lartë duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike.
Edhe transporti rrugor është bërë shqetësues në aksin Elbasan-Librazhd. Një sasi gurësh janë shkëputur nga lartësia duke rënë në rrugë, kjo ka bërë që të bllokohet kalimi i automjeteve në njërin krah të aksit rrugor.








































