Bllokohet dosja e prokurorisë për çështjen e financimeve ruse të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Edhe pse u tha nga prokurorët e çështjes se dosja e lobimeve ruse ka shkuar në gjykatë, nuk ka ndodhur aspak kështu. Sipas informacioneve, mësohet se dosja në fjalë ka mbetur tek protokolli i Prokurorisë së Tiranës. Kjo është vendosur ditën e djeshme gjatë një mbledhje që kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj zhvilloi me tre prokurorët e dosjes “Basha”. Mësohet se zonja Imeraj u ka kërkuar informacion edhe me shkrim dy prokurorëve për procedurat e ndjekura gjatë hetimeve, si dhe mbi vendimin e marrë më pas. Po ashtu, mësohet se Imeraj ka kërkuar sqarim nga dy prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako, se përse pushuan akuzën e pastrimit të parave ndaj kreut të PD, Lulzim Basha dhe për mënyrën sesi është përjashtuar nga vendimi, prokurori tjetër, Kol Hysenaj. Ndërkohë, mësohet se një tjetër çështje që është diskutuar në mbledhje ka të bëjë me faktin se përse dy nga prokurorët e çështjes nuk është marrë në pyetje Nikolas Muzin, pas marrjes së dakordësisë nga pala amerikane, që lejonte prokuroritë shqiptare për të pasur dëshminë e tij. Mësohet se prokurori Hysenaj nuk ka qenë dakord me mbylljen e hetimeve pa u marrë në pyetje Nik Muzin, i cili konsiderohet një person kyç në këtë çështje. Por këto kanë ngjallur debate në mbledhje, teksa mësohet se prokurori Karanxha është shprehur se për lobistin e PD, Nicolas Muzin, duhet të vendosë gjykata nëse duhet të dëshmojë. Ndërsa, në lidhje me faktin që në dosjen e përfunduar mungon firma e prokurorit, Kol Hysenaj, Karanxha ka thënë se ai është njoftuar nëpërmjet postës. Kështu që, nisur nga këto rrethana mësohet se për të sqaruar paqartësitë e këtij vendimi, dy prokurorëve që firmosën mbylljen e hetimeve për kryedemokratin u është lënë tre ditë kohë që të sqarojnë se përse vendosën ta dërgonin dosjen të pakompletuar dhe kaq shpejt në Gjykatën e Tiranës.
Fati i kreut të PD në dorë të gjykatës
Por pavarësisht debateve që janë hapur lidhur me vendimin e dy prokurorëve Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako që mbyllen hetimet ndaj Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë të Partisë Demokratike, fati i kryedemokratit tanimë është në dorë të gjykatës. Sipas ligjit, tagrin për të pushuar një akuzë e ka gjykata dhe jo prokuroria. Pra, fati i kreu të PD është në dorë të gjykatës, e cila fillimisht do të mbajë një seancë paraprake për të parë nëse dosja është ligjërisht e saktë apo ka nevojë për rihetim. Kështu, nëse gjykata do të pranojë dosjen, në rastin konkret Basha do të hetohet vetëm për falsifikim dokumentesh. Ndërkohë, nëse në seancë paraprake gjykata vendos që ta kthejë dosjen për rishqyrtim, pasi e sheh me mangësi, gjasat janë që lideri demokrat dhe dy zyrtarët e lartë të kësaj partie të gjykohen nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, e cila sipas kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë pritet që ngrihet në 25 nëntor. Sidoqoftë, na duhet të presim ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht. Kujtojmë që, nëse gjykata do të pranojë të hetojë kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha vetëm me akuzën për falsifikim dokumentesh, kryedemokrati rrezikon nga 3 deri në 7 vjet burg. “Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet”, thuhet ndër të tjera në nenin 190 në pikën 3.
Rigels Seliman









































