Shkatërrohet rrjeti i falsifikatorëve që dërgonin refugjatë në SHBA, Kanada dhe Angli, 3 persona të arrestuar

0
468

Një grup i strukturuar kriminal që merrej me falsifikimin e dokumenteve me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt parave, u shkatërrua nga autoritetet policore të Tiranës. Në pranga përfunduan 3 anëtarë të këtij grupi, të gjithë të dënuar më parë. Në prangat e uniformave blu të kryeqytetit përfunduan Thanas Todhri 61 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për falsifikim të dokumenteve për në SHBA; Vesel Serjanaj 63 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, i dënuar dy herë më parë për falsifikim dokumentesh si dhe Pajtim Baruti 65 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë. Këta persona, sipas policisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin një ambient në Durrës, që e përdorin si bazë për të kryer falsifikimet, ndërsa aktivitetin e zhvillonin në Tiranë, pasi gjenin klientë, kryenin falsifikimin e dokumenteve, me qëllim kalimin në mënyrë të paligjshme të kufirit. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pjesëtarët e këtij grupi kriminal kryesisht falsifikonin letra greke dhe italiane me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit të shqiptarëve për në vendet e BE-së, përfshirë Anglinë, apo tranzit jashtë unionit në SHBA dhe Kanada kundrejt fitimit. Sipas grupit hetimor mësohet se dokumentet prodhoheshin për persona që e kanë të ndaluar udhëtimin në vendet e zonës Schengen dhe për persona të ndryshëm të cilët do t’i përdornin këto dokumente për vendet e BE-së për të emigruar në mënyrë të paligjshme apo tranzit për të shkuar jashtë Bashkimit Europian. Tre pjesëtarë të grupit kriminal janë persona me precedent të mëparshme në fushën e falsifikimit të dokumenteve, pasi rezultojnë të dënuar me vendim gjykate. Policia dhe prokuroria finalizuan dje me sukses operacionin e koduar “Laboratori” pas hetimeve intensive 6-mujore, ndërsa është sekuestruar edhe laboratori i falsifikimit në Durrës.

Çfarë sekuestroi policia gjatë operacionit “Laboratori”

Gjatë operacionit të zhvilluar dje nga policia e kryeqytetit në bashkëpunim me atë të qytetit bregdetar të Durrësit, uniformat blu shkatërruan bazën ku kryheshin falsifikimet. Gjatë kontrollit të laboratorit, ku tre të lartpërmendurit ushtronin aktivitetin e tyre kriminal, policia sekuestroi një sërë provash që do të ndihmojnë grupin hetimor për të provuar aktivitetin kriminal që tre burrat e arrestuar ushtronin. Më konkretisht në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi një laborator, i cili shërbente për prodhimin e dokumenteve të falsifikuar; një automjet tip “Opel Corsa”, një kompjuter; 7 stampa, vula; morseta të institucioneve të huaja të ndryshme; një printer skaner që shërbente për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; një pajisje speciale për plastifikimin dhe prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; një llambë speciale me rreze ultravioletë; hekur special për plastifikim; 4 pajisje speciale për hapjen dhe ndërhyrjen në dokumentet origjinale; 12 karta greke të falsifikuara; 6 leje drejtimi italiane; 1 leje qëndrimi italiane; 12 karta identiteti italiane; 3 karta shëndeti italiane; 1 leje drejtimi angleze; 3 fletë hyrje për institucione të ndryshme; 1057 karta të paplotësuara me çip dhe elementë sigurie për patentë dhe dokumente të ndryshme të paplotësuara; dëftesa shkollore; dokumenta institucionesh; fotografi; vulë e thatë e një zyre noteriale si dhe një sasi prej 1 250 euro. Operacioni “Laboratori”, u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të mësipërm. Ndaj të arrestuarve prokuroria ka ngritur dy akuza, më konkretisht tre burrat akuzohen për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve, vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Nesër të arrestuarit priten të dalin përpara gjykatës për t’u njohur me akuzat dhe masën e sigurisë që gjykata do të caktojë ndaj tyre.

Elvis MYRTA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here