Mirela Oktrova promovon ditarin dokumentar dhe fotografik “55 ditë”

0
428

Pas prezantimit të suksesshëm në Prishtinë, ku fitoi çmimin e publicistikës, ditari dokumentar dhe fotografik i Mirela Oktrovës “55 ditë”, i mbajtur 20 vjet më parë në 55 ditët e qëndrimit të autores në zonën e krizës gjatë luftës së Kosovës u promovua edhe në Tiranë, në COD, Bibliotekën e Kryeministrisë. Si autore Mirela Oktorva u shpreh se me botimin e këtij libri mbylli dhe një detyrim me të gjithë ata të shpërngulur nga trojet e tyre, që ishin të padallueshëm si personalitete gjatë luftës së Kosovës. Të pranishëm në këtë aktivitetet, studiues dhe gazetarë vlerësuan raportet e kujtesës me të vërtetën, duke e cilësuar se dëshmia për fatet e 15 000 njerëzve mbetet alfabeti, që duhet ti kthejë kujtesën një populli. Ky ditar lufte, kjo dëshmi e luftës së Kosovës u përcillet brezave me thirrjen për të mos harruar. Autore e këtij ditari dokumentar dhe fotografik, Mirela Oktorva shprehet se ideja për publikimin e këtyre materialeve është “moshatare” me vetë dëshmitë, që këto materiale zbulojnë, po vendimi për të pritur gjithashtu. “Ngjarje si këto shenjojnë kombin. Shoqëritë, mediat, njerëzit. Në një drejtim a në një tjetër…fatkeqësisht më shpesh në një tjetër nga ai i pritshmi. Në këndvështrimin tim, shoqëria jonë dhe media, si pjesë e saj, janë tejet problematike në mënyrën se si raportohen me ngjarje të këtij lloji. Pasi marrëdhënia me to e është e pandarë nga përdorja apo më saktë nga keqpërdorja e tyre për karrierë, për protagonizëm, për pushtet. Ndaj unë me qëllim vendosa të prisja. Për të ndenjur në mënyrë të ndërgjegjshme larg këtij trendi, paçka se ideja jetonte me mua në gjithë këto vite”, pohon autorja e këtij botimi. Për autoren Mirela Oktrova, fotografitë që shoqërojnë rrëfimin, nuk janë fotografi artistike, madje as produkt i një plani paraprak. “Edhe sot nuk jam në gjendje të shpjegoj, se si nisa t’i bëja ato fotografi. Në mendje më ka mbetur vetëm dëshira për të mos u “ndarë” prej portreteve, që ato fiksojnë. Të gjitha këto foto-dëshmi, janë shkrepur shpejt dhe me ndjesinë e momentit, zakonisht nga larg, për të mos lënduar të fotografuarit, ndryshe do të më ishte dukur sikur po e përdorja vuajtjen e tyre”, kujton Oktrova. Për librin, autorja shprehet se personalisht vazhdon të emocionohet po aq fort sa dikur edhe sot, sa herë që u rikthehet fotove të kohës, kështu dhe gjatë seleksionimit, përpunimit dhe sistemimit të tyre për këtë botim. “Por akoma më shumë prekem, kur lexoj ditarin e atyre ditëve, emocionin e të cilit shpresoj ta përjetojë me të njëjtën forcë edhe lexuesi”, pohon Oktrova për këtë botim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here