Kujtim Buza: “Në udhëtim me Edward Lear në Shqipëri”, do të mbahet mend për vlerat historike dhe kulturore

0
589

Ekspozita me titull “Në udhëtim me Edward Lear në Shqipëri” vjen për publikun me veprat e piktorëve të njohur, në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita sjell punime të piktorëve shqiptarë të peizazhit, që udhëtuan në gjurmët e Edward Lear nëpër Shqipëri, të cilët hodhën në telajo peizazhet e ditëve tona. Pikturat e tij paraqesin pamje nga vendi ynë, si edhe veshje tradicionale të popullsisë vendase në mesin e shekullit XIX. Disa nga piktorët që marrin pjesë janë Kujtim Buza, Pashk Përvathi, Nikolin Ivanaj, Xhaneta dhe Agim Kadillari, etj. Piktori i njohur Kujtim Buzi tregon se Edward Lear pushtoi vendin tonë me penën e tij, dhe ky prezantim me veprat e piktorëve në muze, ka jo pak rëndësi. “Kjo ekspozitë do të mbahet mend për vlerat e saj kulturore dhe historike, Edward Lear pushtoj vendin tonë me penën e tij duke pushtuar zemrat dhe mendjet e intelektualëve dhe artistëve shqiptarë”, pohon piktori. Për disa ditë me radhë piktorët kanë qenë në disa nga vendet, ku kaloi Edward Lear, por sipas piktorit Kujtim Buza sot këto vende kanë pësuar shumë ndryshime. “Veprat me piktura në muze janë nga vendet nga kaloi Edward Lear, por parë me syrin tonë në këto kohë. Në ato vende ku ka shkuar ai, shkuam edhe ne si piktorë, por tashmë relievi ka ndryshuar dhe nuk është më si dikur. Janë bërë ndërtime, ndryshime, etj, por ne i jemi përmbajtur pak a shumë asaj që ka bërë Lear. Ne kemi qenë në Gjirokastër, Tiranë, Elbasan, etj”, shprehet piktori i njohur Buza. Kjo ekspozitë, që u çel në Muzeun Historik Kombëtar vjen në vijim të aktivitetit, që po zhvillojnë grupi i piktorëve peisazhistë në vende të ndryshme të Shqipërisë. Kudo që janë prezantuar me punët e tyre artistët janë pritur nga publiku, i cili këto ditë i gjen në Muzeun Historik Kombëtar.

Ekspozita jo vetëm në Tiranë

Ekspozita me titull “Në udhëtim me Edward Lear në Shqipëri” sjell dhjetëra punime të reja, që prezantohen për herë të parë për publikun në muze. Piktori i njohur Kujtim Buza tregon se pas prezantimit në Tiranë me këtë ekspozitë do të jenë dhe në vende të tjera. “Janë prezantuar 60 punime për publikun. Janë të gjitha vepra të reja të punuara në pikturë gjatë këtyre ditëve nga piktorë peisazhistë. Veprat janë prezantuar për herë të parë për publikun. Dikur u ekspozuan në Krujë dhe tani në Tiranë është më e plotë ekspozita. Ne pas Tiranës me këtë ekspozitë do të jemi dhe në qytete të tjera të vendit. Ekspozita do të qëndrojë rreth 10 ditë në Muzeun Historik Kombëtar”, pohon piktori i njohur Kujtim Buza. Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, u shpreh se është kënaqësi që është krijuar mundësia për të parë e vizituar bukuritë e fshehura të vendit tonë, përmes peizazheve të cilat na kanë dhënë një qasje akoma dhe më të qartë. Edward Lear ishte piktor, poet dhe udhëpërshkrues anglez nga Britania e Madhe. Eduardi krijoj vepra madhore ndër të cilat edhe mbi 100 peisazhe mbi Shqipërinë. Shumica e këtyre peisazheve janë akuarele dhe litografi. Këto punime janë botuar në shekullin e kaluar nën titullin “Edward Lear in Greece” (Eduard Lir në Greqi). Ndërsa nga fundi i shekullit përshkrimet e bëra nga Edward nëpër Shqipëri janë botuar në një përmbledhje nën titullin “Edward Lear in Albania: Journalls off a Landscape Painter in Albania and Illyria” (Eduard Lir në Shqipëri: ditari i një piktori peisazhist në Shqipëri dhe Iliri). Ky aktivitet është një organizim i Institutit të Librit dhe të Promocionit, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, si dhe të Muzeut Historik Kombëtar.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here