Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit komunist. Sipas raportimeve që janë bërë pranë CIA nga informatorët shqiptarë, janë treguar detaje mbi disa persona që janë burgosur nga sistemi. Në një dokument voluminoz, CIA tregon me detaje rrëfimin e një funksionari të partisë dhe që ka qenë pjesë e luftës, pa përmendur emrin. Sot tregohet rrëfimi i tij për mënyrën si i krijua Sigurimi i Shteti dhe për genocidin çam. Ajo që bie në sy është se personi në fjalë, por dhe PKSH mendonin se çamët bashkëpunuan me nazistët.
31 janar 1957
Raport Partia e Punës
(Vijon nga numri i kaluar)
… Pas analizës së komuniteteve fetare në Shqipëri, kaloj në çështje të përgjithshme.
Ofensiva e partisë kundër klerikëve të caktuar ka qenë shumë e dhunshme në vitet 1946-1947 dhe në 1948. Në periudhën pasuese ajo tregohet më tepër diplomatike. Deri në 1948 të gjithë kundërshtarët e regjimit ishin eliminuar ose me zhdukje fizike ose me burgim. Kështu që tashmë ishte hapur rruga për përmirësimin e marrëdhënieve shtet-kishë. Prandaj pas vitit 1948 u bë ligji që rregullon marrëdhëniet e shtetit me Kishën, i cili u bë pikërisht ashtu siç e donte partia. Prej asaj kohe nuk ka pasur më gjyqe kundër klerikëve. Disa të dhëna mbi politikën e partisë kundrejt masës së besnikëve të saj, domethënë laikëve besimtarë. Ceremonitë fetare janë krejt të lira, asnjë kishë nuk është kthyer në bibliotekë, klub apo ent shtetëror. Asnjë nuk është ndjekur për arsye se shkon në kishë të dëgjojë ceremonitë fetare, pra formalisht nuk pengon besimin fetar, mirëpo asnjë komunitet nuk disponon fonde për aktivitetet e tyre kur nga ana tjetër partia ka të gjitha mjetet në dispozicion për të zhvilluar propagandën ateiste e materialiste. Këtë propagandë partia e bën jo dhe aq në popull, por shumë më tepër brenda radhëve të saj. Klerikët janë të pakualifikuar. Kleri katolik ka pasur më parë një seri shkollash për priftërinj, por tashmë nuk zotëron asgjë (përveç një shkolle elementare për kuadrin e ulët klerik). Kleri ortodoks nuk e di nëse e ka ende një seminar që ka pasur në vitet e fundit të regjimit të Zogut. Kleri mysliman ka ruajtur ende Medresenë e Tiranës ku përgatiteshin hoxhallarët e rinj, mirëpo kjo është në pikë të hallit me mungesë fondesh dhe profesorësh. Thashë më parë që kishat nuk janë kthyer në kafene, por as nuk janë ndërtuar kisha të reja. Ato ekzistuese po degradohen ngadalë-ngadalë. Në mos gaboj dioqeza e Gjirokastrës ka sot 147 kisha me 92 priftërinj gjithsej dhe ky fenomen i mungesës së priftërinjve vlen për të gjitha vendet kristiane në Shqipëri. Dioqeza e Gjirokastrës është më e madhja në vend për ortodoksinë. Pas saj vjen ajo e Korçës.
-Çështja çame. Sa, kur dhe përse u shpërngulën çamët nga Greqia? Ku i vendon në fillim dhe ku janë tani? Cilët janë eksponentët e tyre? Si u përdorën çamët gjatë luftës rebele në Greqi? Ç’vend zënë ata sot në pushtet? A janë të kënaqur me gjendjen e tyre? Sa është numri i atyre të vendosur pranë kufirit grek?
Kur është bërë shpërngulja e çamëve nga Greqia unë vetë kam qenë në Jugosllavi. Ky eksod është kryer në vitin 1946 ndoshta në fund të 1945, kohën e saktë nuk e mbaj mend. Me sa di unë shpërngulja e çamëve nga tokat e tyre drejt Shqipërisë nuk është bërë me vullnetin e tyre të lirë. Kjo sepse gjatë kohës së okupatorit italo-gjerman, çamët nën udhëheqjen e krerëve të tyre, bashkëpunuan me forcat pushtuese të huaja dhe kryen akte armiqësore kundër lëvizjeve nacionaliste të Zervës në krahinën e Çamërisë, ashtu dhe kundër partizanëve grekë. Ata kryen gjithashtu akte armiqësore kundër grekëve të krahinës së tyre. Ndoshta për këtë arsye nga frika se mos nisnin reprezaljet greke pas çlirimit, apo ndoshta të dëbuar me forcë nga frika e reprezaljeve (unë nuk di gjë të sigurt) lanë vendin e tyre dhe erdhën në tokën shqiptare ku mendonin se do të gjenin përkrahje dhe mbrojtje.
-A e dëshironte Partia Komuniste këtë masë të ardhur nga Greqia në Shqipëri?
Unë personalisht besoj që jo. Gjithmonë këto masa njerëzish të ardhura në nxitim e sipër pa pasuri dhe të ardhura, janë gojë për të ushqyer, sistemuar, strehuar etj. Për këtë arsye pushteti komunist i pranoi me zor këta emigrantë të shumtë për faktin se nuk mund të vepronte ndryshe. Me një ndjenjë mosbesimi, antipatie e gati urrejtjeje i pranoi dhe populli shqiptar. Sidoqoftë, pasi u pranuan partia mendoi t’i përdorë gjerësisht për qëllimet e saj propagandistike e politike në sferën ndërkombëtare, veçanërisht kundër Zervës (duke e quajtur reaksionar greko-ballist) dhe kundër Greqisë monarkiste. Kështu në funksion të këtij plani Partia Komuniste organizoi atëherë njëfarë komiteti të çamëve të shpërngulur, të drejtuar nga elementë servilë, bashibozukë, kryesisht nga paria e çamëve pa ndonjë të kaluar që mund t’i vlente. Kjo sepse vetë përbërja e çamëve ishte e tillë. Për të pasur situatën në kontroll brenda këtij komiteti, partia futi në komitet përveç eksponentëve çamë edhe njerëz të saj me origjinë çame, por të ardhur shumë vjet më parë dhe që kishin qenë militantë në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Disa prej tyre i njoh, si: Vehip Demi, anëtar i vjetër i partisë, por me asnjë meritë në parti ose pushtet. Partia zgjodhi këtë njeri sepse ishte nga një familje e vjetër me influencë në masën çame të emigruar. Ai firmoste apelet për çamët ndaj Kombeve të Bashkuara, ku kërkohej “t’i jepej fund masakrave dhe terrorit të monarko-fashistëve grekë” ndaj pakicës shqiptare në Greqi. Vehip Demin e kam njohur personalisht. Ishte një sharlatan e karagjoz, jo vetëm në pamje, por dhe në përmbajtjen e tij. Rreth vitit 1948 është përjashtuar nga partia si element i pavlefshëm. Di se ai ishte i pakënaqur me trajtimin nga partia, por jo deri në atë pikë sa të ishte një armik i fshehtë i partisë. Një tjetër partiak që ishte futur në komitetin e çamëve ishte Taho Sejko, të cilin kam pasur rastin ta njoh së afërmi. Ishte i zoti dhe me talent si organizator e gazetar, ka kryer studime për ekonomi politike në Greqi, gjatë regjimit të Zogut. Në vitin 1943 ka luftuar në mal dhe pas çlirimit është emëruar shef seksioni në komisionin e planit të shtetit, në 1949 është emëruar shefi seksionit ekonomik në “Zërin e Popullit”. Ky person ishte futur në komitetin çam sepse ishte me origjinë çame. Se ku u vendosën popullata çame në ditët e para të ardhjes së saj unë nuk e di sepse siç e thashë në fillim gjendesha në Jugosllavi, por nga bisedimet e mëvonshme kam dëgjuar se kjo masë njerëzish u vendosën kryesisht në qarkun e Vlorës, Fierit, Lushnjes e Tiranës. Në Korçë nuk kam dëgjuar të ketë pasur çamë, shumë pak mund të jenë instaluar në qarkun e Gjirokastrës. Nuk kam dëgjuar as për vendosje të çamëve në veri. Nuk kam dëgjuar që çamët të jenë vendosur në afërsi të kufirit grek apo të jenë përdorur në luftën e rebelëve komunistë grekë. Partia nuk ka pasur kurrë besim te kjo masë, por gjithsesi atyre nuk mund t’u refuzohej e drejta e strehimit. Deri më tani asnjë nga çamët e ardhur nuk ka poste partiake ose qeveritare. Shteti shqiptar u kufizua vetëm duke u gjetur një strehim të çfarëdoshëm. Ata punojnë kryesisht në bujqësi. Popullsia shqiptare i krahason me çifutët, të aftë për allishverishe të vogla, për punë jo shumë të ndershme, ndoshta nga vetë fakti se mezi fitojnë bukën për të jetuar. Komuniteti i tyre është i ndarë nga komuniteti kryesor, e ndihmojnë shumë njëri-tjetrin, sidomos në veprime të dyshimta, matrapazllëqe etj.
Si rrjedhim çamët nuk besoj se janë të kënaqur me gjendjen në Shqipëri. Ata e mallkojnë regjimin komunist, por nuk kanë zgjedhje tjetër, janë një komunitet kurbeti.
-Si lindi dhe si u zhvillua, periudhat kryesore të Sigurimit të Shtetit
Sigurimi i shtetit ka tre periudha në historinë e tij; periudha fillestare, periudha e “Mbrojtjes së Popullit”, dhe periudha e “Sigurimit”. Në periudhën fillestare ishte vetëm një organ i pushtetit për ruajtjen e rendit dhe eliminimin e kundërshtarëve politikë, i krijuar që në kohën e luftës. Paraardhësit e parë të Sigurimit quheshin në kohën e luftës “komanda vendi”, e cila ka pasur masë dhe fuqi shumë më inferiore nga sa ka Sigurimi sot. Ato ishin komanda të prapavijës që lindën aty nga viti 1943. Duhet se këshillat nacional-çlirimtare në zonat e çliruara nuk mund të ekzistonin pa një forcë të armatosur. Repartet e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare nuk merreshin më me ndjekjen e kriminelëve ose hajdutëve, prandaj u bë i nevojshëm krijimi i disa organeve të posaçme ushtarake që të merreshin me veprimet kundërvajtëse dhe gjurmimin e personave të dyshimtë, të cilat u quajtën “Komanda vendi”. Një grup katundesh kishin një Komandë vendi, dhe këto krijoheshin zakonisht në pika kryqe rrugore ose rrugë partizane. Komandat kishin një komandant dhe një sekretar partie që ishte krahu i djathtë i komandantit. Komanda kishte dhe një grup partizanësh, numri i të cilëve ndryshonte sipas rastit, por zakonisht ishte rreth 20 vetë.
Komandant e vendit vareshin nga komanda e qarkut dhe me anë të sekretarit të tyre që ishte anëtar partie, vareshin dhe nga Komiteti Qendror i partisë. Detyrat e komandave të vendit ishin të gjurmonin, arrestonin dhe të mbanin nën mbikëqyrje deri në vendosjen e fatit të tyre persona të dyshimtë për veprimtari spiunazhi, sabotazhi etj. Këto ishin më tepër detyrat e një policie.
Grupet duhet të mobilizonin kafshë apo mjete të ndryshme transporti për nevojat e ushtrisë partizane në pozicione luftimi, ose të siguronin rrugën e korrierëve. Këto komanda nuk ishin të rëndësishme dhe nuk kishin autoritet pasi partia caktonte njerëzit më të paaftë për luftë. Por sot puna e tyre është shumë e ndryshme nga koha e luftës pasi pushteti komunist është tashmë në fuqi dhe lufta e hapur e armatosur ka marrë fund. Tashmë kundërshtarët e regjimit nuk janë legalë, por ilegalë, klandestinë, siç është dhe veprimtaria e tyre, prandaj natyrisht që roli i Sigurimit del në plan të parë. Në tetorin e 1944, domethënë në prag të çlirimit, Partia Komuniste bëri riorganizim në të gjitha fushat e aktivitetit të saj, kur dhe u krijua Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit. Drejtoria ishte autonome dhe nuk varej nga asnjë dikaster. Në krye të saj u emërua Koçi Xoxe, nëndrejtor ishte Nesti Karenxhi. Xoxe emëroi në poste persona me besim të verbër ndaj partisë dhe që kishin pasur funksione në ushtrinë partizane. Bashkë me drejtorinë u krijuan dhe Brigadat e Mbrojtjes së Popullit me efektiva partizane të zgjedhur, me detyrë ndjekjen e reparteve balliste e armike, që tashmë fshiheshin pasi Shqipëria ishte çliruar dhe komunistët ishin në pushtet. Ata kryenin gjithashtu arrestimet dhe ekzekutimet e personave nga listat e përgatitura nga partia. Periudha finale e Sigurimit nis nga fundi i vitit 1946 kur u krijuan dhe organet e policisë që ishin të lidhura ngushtë me Sigurimin. Drejtor u bë Nesti Kanrenxhi pasi Koçi Xoxe u bë ministër i Brendshëm. Brigadat e mbrojtjes së popullit humbën kompetencat e tyre dhe mbetën vetëm reparte për ndjekjen e të arratisurve në mal, prandaj nisën të quheshin “Brigada të Ndjekjes”. Mbi strukturën e mëvonshme të Sigurimit nuk di gjë. Mbrojtja e popullit në 1944 u organizua sipas modelit jugosllav të OZNAS dhe më vonë Sigurimi i Koçi Xoxes u zhvillua sipas modelit të UDB.