Google search engine
Home Politike Meta i shpall luftë Kuvendit dhe KED, refuzon të zgjedhë anëtarin e...

Meta i shpall luftë Kuvendit dhe KED, refuzon të zgjedhë anëtarin e Kushtetueses dhe tenton të bllokojë procesin, presidenti në alarm nga shkarkimi

0
399

Presidenti Ilir Meta duket se po luan të gjithë gurët për të shtyrë sa më gjatë ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimin për shkarkimin e tij. Ashtu siç gazeta e paralajmëroi se presidenti nuk do të zgjedhë anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese dhe do të tentojë bllokimin e procedurave, kështu ka ndodhur realisht. Dje Meta i ka dërguar një letër kreut të Kuvendit dhe kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ku përveç kritikave dhe sulmeve ndaj tyre, bën të ditur se nuk do të zgjedhë anëtarin e dytë. Po përveç kësaj dhe në shkelje të hapur ligjore, Meta ka bërë të ditur se ka pezulluar procesin, derisa të zgjidhet anëtari i dytë nga Kuvendi. Por sipas ligjit, nëse një prej institucioneve brenda 30 ditësh nuk bën emërimin e anëtarit, KED emëron të parin në listë. Por Meta duket se nuk e do një gjë të tillë dhe ka vendosur pezullimin e procedurave. Megjithatë vendimi tij pritet të mos ketë vlerë, pasi me gjasë sot KED do vendosë emërimin e emrit të parë në listë. “Presidenti… ka vendosur të pezullojë procesin administrativ të shqyrtimit të listës dhe praktikës dokumentare për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin nr.11133, datë 04.03.2019, përcjellë nga KED me shkresë nr. 553 prot., datë 08.10.2019, deri në zgjedhjen e anëtarin të dytë të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë apo deri në përfundimin e afatit kushtetues, brenda të cilit Kuvendi i Shqipërisë do të shprehet për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për plotësimin e dy vakancave që i përkasin atij si organ emërtese dhe që, sipas përllogaritjes, ky afat përmbushet në datë 13 nëntor 2019”, thuhet në letër.

Strategjia e Metës

Ligji dhe Kushtetuta e përcaktojnë qartë se nëse një institucion nuk e zgjedh brenda 30 ditëve anëtarin, emërohet automatikisht emri i parë në listë. Metës i kanë shkuar 4 emra: Arta Vorpsi,Fiona Papajorgji, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari. Kjo do të thotë se Vorpsi emërohet automatikisht. Pra Meta del jashtë loje në këtë mes dhe ka futur termin e pezullimit, i cili nuk ekziston në asnjë përcaktim kushtetues. Por kjo manovër e Metës është strategji e tij për të krijuar konflikt dhe vonuar procedurat. Nëse bëhet emërimi i Vorpsit sot, Meta pritet të mos e njohë dhe të dalë me teori të reja. Çka do të thotë se mund të ketë përplasje dhe çështja mund të shkojë në gjykatë, duke sjellë zvarritje. Por sa më shumë zvarritet Kushtetuesja, aq më shumë zvarritet dhe shkarkimi i presidentit.

Meta në sulm ndaj institucioneve

Presidenti ka nisur dje një luftë me Kuvendin dhe KED. Në letrën e tij Meta sulmon hapur Ruçin, Komisionin e Ligjeve dhe kreun e KED, Arjan Dvorani. “Nga gjithë informacioni i administruar, rezulton se KED-ja renditjen e kandidatëve dhe krijimin e 4 listave, për të dy institucionet – President i Republikës dhe Kuvend – i ka bërë në mënyrë të njëkohshme, brenda të njëjtës datë 21.09.2019 ku, madje dhe numërtimi i vendimeve është i alternuar sipas radhës së shpalljes dhe plotësimit të vakancave që i përkasin për plotësim Presidentit dhe Kuvendit. Ndërkohë, në aktet e dërguara pranë Institucionit të Presidentit të Republikës nuk paraqitet asnjë e dhënë që të shpjegojë arsyet e dërgimit të të dy listave njëherazi apo shkaqet e vonesës së dërgimit të dy listave njëherazi me një javë diferencë pranë Kuvendit. Ky veprim administrativ i KED-së nuk respekton as kohën e përpilimit të listave (listat janë miratuar brenda të njëjtës ditë), as radhën e miratimit të tyre (lista e parë e miratuar është e Presidentit, lista e dytë është e Kuvendit, lista e tretë është e Presidentit dhe lista e katërt është e Kuvendit) dhe as rendin kronologjik të detyrueshëm, që ka caktuar Kushtetuta dhe ligji, për plotësimin e vendeve vakante”, thuhet në letër. Po ashtu Meta sulmon dhe Kuvendin, duke kërkuar koordinim me të. “Pa një bashkëpunim midis organeve të përfshira në procesin e emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese (KED-President-KED-Kuvend), ky proces nuk mund të përmbyllet në përputhje me nenin 179, pikat 2 dhe 12 të Kushtetutës si dhe parimeve të hartuara nga jurisprudenca e vetë Gjykatës Kushtetuese”, thuhet më tej. Presidenti po ashtu ka kërkuar nga KED që t’i dorëzojë dosjen e plotë me dokumentet që kanë dorëzuar kandidatët./Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here