Këshilli i Lartë i Prokurorisë duket se ka mbetur i zhgënjyer nga Kuvendi. KLP disa herë ka kërkuar shtim stafi dhe zyra të reja, por ka hasur kundërshtim nga Komisioni i Ligjeve. Në seancën e datës 25 tetor, kreu i KLP Gent Ibrahimi ka treguar hapur qejf mbetjet ndaj Kuvendit. Në këtë datë, KLP vendosi që SPAK të ngrihet me 8 anëtarë, ndërsa një tjetër çështje e diskutuar ka qenë mundësia për të rihapur garën për dy vendet vakante të krijuar në listën e 15 kandidatëve të SPAK. Duke qenë se dy prej emrave në listën me 15 kandidatë nuk janë më, atëherë lind nevoja për zëvendësimin e tyre. Gazeta ka siguruar procesverbalin e mbledhjes dhe aty ka pasur kritika ndaj Parlamentit. Kreu i KLP, Gent Ibrahimi deklaroi se çdo vendimmarrje për zgjerim strukture duhet të kalojë më parë nga Kuvendi, duke shtuar se ky institucion krijon vetëm vonesa dhe zvarritje. “Çdo zgjerim në organikën e Prokurorisë së Posaçme, do të kërkojnë një proces komunikimi të drejtpërdrejtë me drejtuesit e Kuvendit dhe Kuvendi është një mamuth i ngadaltë. Çdo proces që kalon aty has në vonesa, ndaj dhe ne mund të gjendemi në kushtet që për një kohë shumë të gjatë, prokuroria mund të ketë një numër të vogël prokurorësh, që do të thotë që aktiviteti i kësaj zyre punë do të jetë i kompromentuar”, u shpreh Ibrahimi në seancë. Ibrahimi gjatë fjalës së tij tha se janë plot 17 prokurorë në total që kanë kaluar vetingun me vendim të formës së prerë, ndërsa nënvizoi se kandidatë potencialë për SPAK, nuk mund të jenë më shumë se 7. Por sipas tij, zgjerimi i organikës së SPAK kërkon ndërhyrjen e Kuvendit dhe kjo do sjellë zvarritje. “Meraku që kam unë është që kemi dhe 5 kandidatë që janë në faza të ndryshme të vetingut dhe shpresojmë që t’ia dalin dhe të zënë vendin në SPAK. Por mund të mos jetë kështu. Gjithsesi procesi i komunikimit me Kuvendin është një proces makinoz, i vështirë, i gjatë. Aq më tepër ai drejtuesi ligjor do e ketë të vështirë të marrë një proces negocimi me Kuvendin. Por si çdo proces që fut në valle Kuvendin do jetë i gjatë”, ka vijuar ai.
Mendimet e anëtarëve të KLP
Sipas procesverbalit, kryetari i KLP, Gent Ibrahimi, në seancën e 25 tetorit, iu drejtua anëtarëve se çfarë mendojnë për hapjen e garës, për dy vendet që janë bosh. Fjalën e mori anëtari i KLP, Alfred Balla, i cili tha se me këtë propozim, nënkuptohet nëse prokurorët do të jenë ata që e kanë kaluar vetingun, sepse sipas tij, kjo do të sillte ndryshim të rregullores. Për këtë, Ibrahimi tha se nuk do të ketë ndryshim rregulloreje, sepse kjo e fundit shkruan se vetëm ata që kanë kaluar vetingun kanë të drejtë të kandidojnë. Ndërsa anëtarja Nerihan Seiti ndërsa e miratoi idenë e garës, shprehu merakun se, kandidatët që kanë kaluar vetingun mund të jenë ata që janë në fund të listës, që nuk i plotësojnë kushtet për të konkurruar për në SPAK, ndërsa shtroi pyetjen sesi do të trajtohen. Ndërsa Sandër Beci u shpreh se kandidatët në fjalë kanë përzgjedhur të konkurrojnë dosjet që nga ana e tyre kanë qenë të përshtatshme dhe që mund ti plotësojnë kushtet. Ai shtoi se po këta kandidatë, mund të zgjedhin dosje të tjera për të konkurruar. Fjalën më pas e mori Arben Dollapaj, i cili këtë propozim nuk e mbështeti. Ai u shpreh se shpallja e këtyre dy vendeve e bën garën të paragjykuar, duke shtuar se janë shumë prokurorë të tjerë që duan të konkurrojnë, duke theksuar mendimin e tij që të mos hapet gara. Në përfundim të seancës, anëtarët me në krye Ibrahimin, e lanë votimin për seancën e radhës./Ornela ÇELPICA






































