Google search engine
Home Politike Këshilli i Europës: Politika të ulet në dialog, bojkotimet dhe djegia e...

Këshilli i Europës: Politika të ulet në dialog, bojkotimet dhe djegia e mandateve s’duhet të kenë vend në një shoqëri demokratike

0
326

Ndërkombëtarët i kanë bërë dje thirrje politikës shqiptare që të nisë punën për të zgjidhur krizën në vend. Pas një vizite në Tiranë, bashkë-raportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) për monitorimin e Shqipërisë, Andrej Hunko (Gjermani, UEL) dhe Joseph O’Reilly (Irlandë, EPP/CD), u kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike në Shqipëri të tregojnë vullnetin politik për të zgjidhur krizën sistematike politike që ka pllakosur vendin. “Ne ritheksojmë qëndrimin tonë se Parlamenti është forumi për dialog dhe diskutim politik dhe për këtë arsye bojkotimet dhe djegia e mandateve nuk duhet të kenë vend në një shoqëri demokratike. Në të njëjtën kohë, mazhoranca duhet të angazhohet në dialog të mirëfilltë me opozitën për reformat e rëndësishme dhe sfidat politike me të cilat po përballet vendi”, janë shprehur dy bashkë-raportuesit për Shqipërinë. Më tej ata nxisin të gjitha forcat politike që të përmbahen nga çdo veprim që mund të rrisë tensionin dhe të minojë më tej pluralizmin politik në vend. Sipas tyre, reforma zgjedhore e ndjekur nga zgjedhjet, mund të jetë thelbësore për tejkalimin e krizës politike. “Të gjitha forcat politike, përfshirë opozitën parlamentare dhe jashtëparlamentare, duhet të përfshihen plotësisht në procesin e reformës zgjedhore në mënyrë që të adresojnë mangësitë e shënuara gjatë zgjedhjeve të kaluara, dhe të vendosin një herë e përgjithmonë një kornizë për zgjedhje demokratike”, theksojnë ata. Bashkë-raportuesit përshëndetën angazhimin e shprehur në mënyrë të përsëritur të autoriteteve për të reformuar gjyqësorin dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Në lidhje me verifikimin e vazhdueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve, bashkë-raportuesit vunë në dukje numrin e lartë të shkarkimeve dhe dorëheqjeve si rezultat i këtij procesi. Ndërsa, ata shpreheshin shqetësimin se, më shumë se një vit pas fillimit të procesit, institucionet kryesore gjyqësore si Gjykatat e Larta dhe Kushtetuese, si dhe Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit janë ende vakante. Ata presin që në fund të këtij viti ky problem duhet të zgjidhet në fund të këtij viti. “Kjo është veçanërisht e rëndësishme në lidhje me krijimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila mund të luajë një rol të rëndësishëm në zbutjen e tensionit politik, pasi aktualisht nuk ka ndonjë arbitër të pavarur që të vendosë për kushtetutshmërinë e vendimeve dhe rezultatin e tyre nga autoritetet e ndryshme”, nënvizojnë bashkë-raportuesit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here