Partitë e vogla në vend pritet të marrin një goditje të fortë nga reforma zgjedhore. Sot do të mblidhet komisioni i posaçëm parlamentar, ndërsa dje është bërë publik një tjetër draft i ekspertëve të komisionit, sa i takon depolitizimit të komisioneve zgjedhore. PS një vit më parë dërgoi në Parlament një draft të ngjashëm, ku parashikohej largimi i komisionerëve politikë dhe zëvendësimi i tyre me profesionistë. Drafti u hartua në bashkëpunim me PD, por nuk gjeti rrugën e miratimit. I njëjti draft është implementuar në propozimin e ri, por duke pësuar një sërë ndryshimesh. Mazhoranca ka propozuar që KQZ të pësojë transformime, ndërsa anëtarët e komisioneve të votimit dhe ata të numërimit të jenë punonjës administrate. Fillimisht KQZ do të riformatohet dhe do të përbëhet nga: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve; Komisioni Rregullator dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (Komisioneri) është organ monokratik (pra jo nga 7 anëtarë që KQZ ka aktualisht por vetëm 1 person) që ushtron kompetencat ekzekutive, drejton administratën e KQZ-së dhe përfaqëson KQZ-në në marrëdhëniet me të tretët. Ai zgjidhet nga Kuvendi dhe ka mandat 7-vjeçar të përtëritshëm. Ndërsa Komisioni Rregullator përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 5-vjeçar. Një tjetër strukturë e re që propozohet është ngritja e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve. Ai është parashikuar si organ kompetent për shqyrtimin e ankimimeve të subjekteve zgjedhore dhe për vendosjen e sanksioneve për shkelje të Kodit Zgjedhor.
Depolitizimi i komisioneve
Përveç KQZ, ndryshime do të ketë te KAZ, komisionet e numërimit dhe ato të votimit. Me draftin e ri, janë ndryshuar dhe termat e komisioneve zgjedhore. Sipas dokumentit, Njësia e Administrimit Zgjedhor, që zëvendëson KZAZ, përbëhet nga 4 anëtarë dhe 2 sekretarë, të cilët emërohen nga KQZ-ja. “Zyrtarët zgjedhorë të NJAZ-it janë individë të kualifikuar në ushtrimin e përgjegjësive të detyrës, të cilët emërohen nga KQZ-ja, me barazi gjinore, me short, midis personave të trajnuar si zyrtarë zgjedhorë. Kryetari dhe zëvendëskryetari i NJAZ-it caktohen nga KQZ-ja në aktin e emërimit, mbi bazën e kriterit profesional, eksperiencës së mëparshme zgjedhore dhe eksperiencës drejtuese administrative. Sekretari i NJAZ-it është përherë me profesionin e juristit”, thuhet në draft. Po kështu ndryshon edhe Komisioni i Votimit, i cili do quhet Njësia e Administrimit të Votimit. Sipas draftit, NJAV-i formohet, me përfaqësim të garantuar gjinor, nga tri zyrtarë zgjedhorë: zyrtari mbikëqyrës, zyrtari i qartësimit të votuesve, zyrtari i procedurave të votimit. “NJAV-i ka për detyrë të kryejë identifikimin e votuesve përpara votimit, të udhëzojë dhe drejtojë votuesit për ushtrimin individualisht, në liri dhe fshehtësi të së drejtës së votës, të kujdeset për zhvillimin dhe mbylljen e rregullt të procesit, si dhe të ruajë dhe administrojë nën përgjegjësinë e vet materialin zgjedhor. Edhe zyrtarët zgjedhorë të NJAV-it janë individë të kualifikuar në ushtrimin e përgjegjësive të detyrës, të cilët emërohen nga KQZ-ja, me short, midis personave të trajnuar si zyrtarë zgjedhorë”, thuhet aty.
Numërimi i votave
Ndryshime ka dhe te Komisioni i Numërimit të Votave, i cili do quhet Njësia e Administrimit të Numërimit. NJAN-i formohet, me përfaqësim të garantuar gjinor, nga dy zyrtarë zgjedhorë. Zyrtarët zgjedhorë të NJAN-it janë individë të kualifikuar në ushtrimin e përgjegjësive të detyrës, të cilët emërohen nga KQZ-ja, me short, midis personave të trajnuar si zyrtarë zgjedhorë në sistemin e trajnimit të KQZ-së.
Goditja ndaj partive të vogla
Me draftin e ri pritet që disa prej partive të vogla të marrin goditje të fortë. Deri më tani në KQZ dhe në komisionet e zgjedhjeve kishte një ndarje të komisionerëve mes PS, PD, LSI, PR dhe PDIU. Por këto 3 të fundit pritet të marrin një goditje të madhe. Sipas draftit, komisionerët e rinj do të jenë punonjës të administratës e veçanërisht pjesë e shërbimit civil. Por nëse bëhet një analizë e thjeshtë, administrata është e mbushur me përfaqësues të PS dhe PD. Ata që ishin të LSI u shkarkuan, ndërsa një pjesë kanë kaluar me PS. Ndërkohë në shërbimin civil shumë janë emëruar gjatë kohës së PD. Të gjithë e mbajnë mend se si Berisha detyroi Ramën që të bëheshin ndryshime në ligj para zgjedhjeve të 2013 për të zgjeruar gamën e shërbimit civil, duke bllokuar shkarkimet. Pra, me gjasë ata që do administrojnë zgjedhjet do jenë të emëruar nga PS e PD. Ndërkohë 3 partitë e tjera që deri më sot kishin komisionerë janë komplet jashtë loje. Por goditja më e madhe pritet të vijë ndaj tyre në ditët në vijim. Opozita e re do të propozojë ndryshimin e sistemit, por PS pritet që të vendosë kusht për ndryshimin e sistemit ndalimin e koalicioneve. Në 2017 falë paktit Rama-Basha vendi shkoi në zgjedhje pa koalicione dhe LSI u masakrua. Pretendonte të merrte 30 deputetë, por mori 19. Futja në zgjedhje pa koalicione favorizon gjithmonë partitë e mëdha. Fakti që Shpëtim Idrizi mbeti jashtë Parlamentit e tregon fare qartë. Nëse do ishte në koalicion PDIU, ai sot do ishte deputet. Po ashtu plan është që të rritet pragu nga 3 në 5 për qind. Pra me reformën zgjedhore pritet që partitë e vogla të marrin një goditje super të fortë dhe 3 më të rrezikuarat janë LSI, PDIU dhe PR.
Kliti Topalli