Projekti “Muri i madh i gjelbër” ka nisur të ndërtohet në Afrikë për të reduktuar efektin e ndryshimeve klimatike dhe për ndalimin e zgjerimit të shkretëtirës. Ai do të mbulojë një territor prej 100 milionë hektarë në të cilën do të mbillen pemë që do të shtrihen nga fillimi e deri të fundi i një kontinenti, më saktësisht nga Senegali deri në Xhibut.
Kjo ide zyrtarisht është miratuar qysh në vitin 2005, dhe është një iniciativë që ka për qëllim të luftojë zgjerimin e shkretëtirës në rajonin Sahel (Afrika e Veriut) si dhe ndryshimet klimatike në gjithë botën. Gjithashtu për qëllim ka që deri në vitin 2030, ky mur të ndalë emetimin e rreth 250 milionë tonelata të dyoksid karbonit. Sahara është duke u zgjeruar aq shumë sa që shumë fise dhe popuj që kanë jetuar prej shekujsh janë duke u zhdukur. Temperaturat po rriten çdo vit, së bashku me to po rritet ndjeshëm edhe brenga e banorëve. E falë këtij projekti, punë do të kenë rreth 10 milionë njerëz, e ajo çfarë është më e rëndësishme, të gjithë banorët e kësaj zone do ta kenë “sigurinë e gjelbër”. Projekti ekologjik ka marrë shumë lëvdata dhe është bërë frymëzim për shumë projekte tjera në mbarë botën. Në mesin e tyre është diga e gjelbër, program për ripyllëzimin, mbrojtjen dhe zhvillimeve e rajoneve të Presahranit, si dhe muri i gjelbër kinez që synon të ndalë zgjerimin e shkretëtirës në Gobi. Kanë kaluar 12 vite nga fillimi i programit, dhe që nga atëherë ka pasur shumë përparime. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, 20 milionë hektarë tokë është ripërtërirë (20 për qind e territorit të synuar) në Etiopi, Senegal, Nigeri, Sudan, Burkina Faso, Mali, Nigeri dhe vende tjera.