Google search engine
Home Politike Drejtesi Zbardhet dëshmia e personit që i dha 15 mijë euro familjarëve të...

Zbardhet dëshmia e personit që i dha 15 mijë euro familjarëve të Gentjan Dodës, ja si u korruptua gjyqtari Shkëlqim Miri

0
362

Ditën e djeshme në Gjykatën për Krime të Rënda është zhvilluar seanca ndaj Gentian Dodës, i cili është përfshirë në aferën korruptive të ish-gjyqtarit të Apelit Shkëlqim Miri. Ky i fundit i ndryshoi akuzën Dodës, kundrejt shumës prej 30 mijë eurosh, nga “Vrasje me dashje”, në “Plagosje e rëndë me dashje”. Në seancën e djeshme, gjykata pritej të dëgjonte dëshminë e personit që i ka dhënë 15 mijë euro të afërmve të Dodës për t’ia dhënë më pas ish-gjyqtarit të Apelit Miri, i cili do të jepte një vendim në favor të Dodës. Në seancën e djeshme shtetasi me inicialet G. P., nuk ka pranuar të dëshmojë përpara gjykatës, por ka thënë se i qëndron deklarimeve të tij paraprake që ka dhënë përpara grupit hetimor. Ai ka pranuar se i ka dhënë kushëririt të tij shumën që ai i kërkoi, por pa e ditur motivin se pse i donte. Dëshmia e tij i është lexuar gjykatës nga prokurori Behar Dibra. “Më telefonoi djali i dajës dhe më kërkoi një shumë prej 10-15 mijë euro, pasi ashtu e kishte një problem. Nuk e kam pyetur për motivet se pse i donte pasi nuk kam pasur interes. Unë ja kam dhënë këtë shumë djalit të dajës”, ka thënë ai për hetuesit, por më tej ka mohuar të njihte Dodën dhe të pandehurit e tjerë. Gjatë seancës së djeshme, prokuroria i kërkoi gjykatës të administronte një sërë provash, pamjet e kamerave në lokalin ku janë dorëzuar lekët. Komunikimet telefonike të Dodës me kushëririn e tij dhe të kushëririt me nënën e Dodës. Marrja e provave përfundoi në seancën e djeshme dhe gjykata shtyu procesin për në 19 nëntor kur pritet të lexohen konkluzionet përfundimtare dhe prokuroria të kërkojë masën e dënimit.

Përgjimet

Nën përgjim janë vënë disa numra, ndër ta edhe Gentian Doda, i cili edhe pse ishte në burg përdorte telefon personal. Më tej, në përgjim është vënë vjehrri i Dodës dhe kushëriri i tij Alban Buci, i cili ka bërë edhe dorëzimin e lekëve te Kujtim Miri, vëllai i gjyqtarit. Në një nga bisedat e përgjuara të Gentian Dodës, ai është duke folur me vjehrrin e tij, ku i shpjegon se ku duhet të marrë shumën prej 15 mijë euro, për të plotësuar 30 mijë euro për t’ia dhënë Kujtim Mirit në lokalin në pronësi të ish-gjyqtarit. Pas marrjes së eurove, vjehrri i Dodës, sëbashku me Alban Bucin, shkojnë në lokalin në pronësi të ish-gjyqtarit Miri. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe, janë regjistruar biseda të Bucit me një tjetër shtetas, P. Miri, të cilit i shpjegon se kishin pasur disa probleme dhe për këtë, janë vonuar pak dokumentet (sipas prokurorisë, bëhet fjalë për lekët). P. Miri i thotë se duhet të shkojnë te lokali dhe të presin aty derisa ata të shkojnë, sepse ishin te Kisha e Laçit, ose të shkojnë te lokali dhe të pyesin për vëllanë e Çimit (bëhet fjalë për Shkëlqim Mirin). Nga përgjimet ambientale të kryera nga hetuesit, është ndjekur automjeti i Bucit, i cili në Laprakë, ka shkuar dhe është takuar me shtetasin G. P., i cili i ka dhënë shumën prej 15 mijë euro në një zarf. Pas kësaj, Buci sëbashku me vjehrrin e Dodës kanë shkuar te lokali i Shkëlqim Mirit dhe kanë kërkuar për vëllanë e tij. Pasi kanë ndenjur aty për rreth 9 minuta kanë dalë dhe janë larguar. Dhënia e zarfit, i cili ishte me euro, është fiksuar nga kamerat e sigurisë së lokalit, të sekuestruara nga hetuesit dhe të administruara nga gjykata. Nga këqyrja e telefonit të Alban Bucit, ka komunikime në “Whatsup” me Gentian Dodën, ku është gjetur një mesazh ku shkruhet: All ok now … by the middle of next month …”, e përkthyer në shqip: “Tashmë gjithçka në rregull, nga mesi i muajit që vjen …”, ky mesazh është fill pasi kanë dalë nga lokali i Shkëlqim Mirit dhe kanë lënë “dokumentet”.

Përgjimi me nënën

Një tjetër bisedë e nxjerrë nga përgjimet dhe që vërteton sipas prokurorisë, akuzat e ngritura, është ajo e Alban Bucit me nënën e Gentian Dodës. B. Doda e telefonon dhe e pyet e shqetësuar në lidhje me çështjen, ndërsa Buci i shpjegon se e ka zgjidhur këtë muhabet dhe se do të dilte brenda dy javësh. “Mos u mërzit se i kam rregulluar unë punët, kam çuar unë dokumente, gjëra. Teta Bukurije rri pa merak, ta jap unë me garanci se për dy javë e ke jashtë se kam mbaruar unë punë para nja dy ditësh. E kam sqaruar pardje me atë që ka çekiçin …, i kam dhënë një thes me dokumente. Shyqyr ka me dalë ai se na ka fikë, s’kemi as b… me veshë s’kemi, jemi shkund krejt. I thash atij gjyqtarit, daku mos kërko më se s’kemi çfarë me të dhënë tjetër, veç shpirtin. I kemi sqaruar ato gjëra, mos u mërzit ti, ne presim veç të dali..”, i ka thënë Alban Buci, nënës se Gentian Dodës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here