Google search engine
Home Politike Vetingu në polici/ Shefi i sektorit të ankesave në SHÇBA rrezikon shkarkimin,...

Vetingu në polici/ Shefi i sektorit të ankesave në SHÇBA rrezikon shkarkimin, nuk justifikon 1.4 milionë lekë

0
390

Dje u zhvillua seanca e parë në vetingun e policisë. Shefi i sektorit të ankesave në SHÇBA Oltion Shehu ishte zyrtari i parë që u përball me Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit, pasi u hetua për tri kriteret e rivlerësimit, pasuria, figura dhe aftësitë profesionale, gjithashtu dhe kontrolli nëse është konsumues i drogës, alkoolit dhe nëse ka shpenzuar para në kazino. Shehu u gjykua nga trupa e përbërë nga Marjeta Gjelaj, relatore, Ela Kerka, kryesuese e trupës, Ana Kapaj, anëtare. Gjatë seancës, relatorja e çështjes bëri me dije se Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, pas hetimit ka konstatuar se subjekti i rivlerësimit ka probleme me pasurinë, saktësisht, Shehu nuk justifikon një shumë prej 1.4 milion lekësh. Lidhur me këtë konstatim, zyrtari i SHÇBA tha se nga viti 1996-2003 ka punuar pa siguracione, në një bingo ku ka pasur detyrën shef salle, banakier, por edhe kamarier, ndërsa pretendon se në këtë periudhë kohe ka pasur të ardhura të larta për shkak edhe të bakshisheve, të cilat i ka të padokumentuara. Shehu theksoi se nuk ishte në dijeni që gjatë kësaj periudhe ka qenë pa siguracione. Komisioni deklaroi se nga hetimi ka rezultuar se Shehu ka në pronësi një shtëpi dykatëshe në njësinë nr.8, ndërtimin e të cilës nuk e justifikon para komisionit. Zyrtari lidhur me këtë konstatim, shprehet se banesa është ndërtuar nga të ardhurat ndër vite. Shefi i sektorit të ankesave në SHÇBA, Oltion Shehu në seancë ishte i shoqëruar nga avokati i tij, Sadedin Fishta. Ky i fundit i kërkoi trupës gjykuese të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit një rivlerësim të shpenzimeve, ndërsa KJV vendosi kontraktimin e një eksperti kontabël, për këtë çështje. Ndërsa në përfundim të seancës dëgjimore, kreu i sindikatës së policisë tha se vetingu duhet të merret me thelbin e punës së drejtuesve të policisë, përmes vlerësimit të aftësive profesionale dhe identifikimin e favoreve politike. Zyrtari Oltion Shehu do të marrë vendimin nga Komisioni me datë 8 nëntor.

Reagon Julian Hodaj
Zëvendës ministri i Brendshëm, Julian Hodaj pas seancës së parë të vetingut në polici u shpreh se asnjë efektiv policie nuk do të pezullohet nëse nuk e meriton, duke nënvizuar se ky proces është për të vlerësuar policët të cilët i përkushtohen misionit që kanë. “Nuk do të penalizohet askush që nuk e meriton të penalizohet, përkundrazi, ky është një proces vlerësimi për të gjithë ata punonjës që i përkushtohen çdo ditë misionit të tyre fisnik. Për institucione të forta me profesionistë me integritet”, deklaroi zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj. Në “sitën” e vetingut do të kalojnë më shumë se 11 mijë efektivë, ku komisioni do të verifikojë pastërtinë e figurës, aftësitë profesionale dhe të ardhurat e secilit. Vetëm dy ditë më parë, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit publikoi listën e dytë të drejtorëve që pritet të dalin për rivlerësim. Shumica prej tyre, janë drejtues të policive në qarqe. Është bërë me dije se me ndryshimet e reja do të jetë Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit që do të vetojë rreth 250 punonjës të gradave të larta, ndërsa SHÇBA do të kryejë procesin e vetingut për efektivët e policisë.

Ornela Çelpica

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here