Google search engine
Home Politike Rama-Basha drejt konsensusit, ja skema që do të ndjekë PS për kushtin...

Rama-Basha drejt konsensusit, ja skema që do të ndjekë PS për kushtin e qeverisë teknike, 6 muaj para zgjedhjeve ekzekutivi do të izolohet

0
352

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duket se janë më afër se kurrë sa i takon gjetjes së konsensusit. Opozita e kryesuar nga PD dogji mandatet rreth 9 muaj më parë, ndërsa bojkotoi zgjedhjet lokale të 30 qershorit, duke kërkuar qeveri tranzitore, e cila sipas saj, do të ishte kujdestare e zgjedhjeve të parakohshme. Por këto pretendime të artikuluara nga opozita janë injoruar nga Partia Socialiste në mënyrë sistematike, e cila këmbëngul se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe se zgjedhjet e radhës do të mbahen në vitin 2021. Mirëpo, duket se mazhoranca qeverisëse është tërhequr nga pozicioni i saj dhe se po lëshon pe, me qëllim gjetjen e një të mesme të përbashkët me opozitën joparlamentare. Sinjali është dhënë ditën e djeshme nga ministrit i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, Çuçi komentoi disa nga propozimet e opozitës jashtë parlamentare që duan të bëhen pjesë e reformës zgjedhore, mes të cilave dhe qeveri tranzitore 3 muaj përpara zgjedhjeve. Por ndryshe nga idetë e artikuluara nga demokratët, ministri Çuçi zbuloi se mazhoranca është duke shikuar mundësinë që muaj para zgjedhjeve ekzekutivi të izolohet.“Kërkesat e opozitës nuk janë pjesë as e axhendës së rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe as e pikave të Bundestagut. Në lidhje me qeverinë tranzitore nuk është se kemi ndonjë model të qartë që na vjen qoftë dhe nga rajoni. Gjithsesi ka vende që aplikojnë mekanizma të ngjashëm. Por ne do vendosim rregulla që në 6 muajt e fundit të qeverisjes, përpara zgjedhjeve të përgjithshme, qeveria të jetë në heshtje totale. Ky propozim mund të ketë ngjyra të një qeverie teknike, por kjo gjë duhet diskutuar në komisionin ad hoc”, deklaroi ai. Pra, kjo lëvizje strategjike e mazhorancës qeverisëse vjen në kushte kur kryedemokrati Lulzim Basha është tërhequr dhe kërkon vetëm garanci për zgjedhje, në mënyrë që vota të mos intimidohet dhe grabitet. Thënë më troç, përmes kësaj lëvizje Partia Socialiste synon që të bindë Partinë Demokratike, që të shkojnë drejt konsensusit.

Reforma zgjedhore, PS fton PD

Por përveç gjetjes së një të mesme të përbashkët, strategji kjo që do të ulte gjakrat mes opozitës joparlamentare dhe mazhorancës qeverisëse, kjo e fundit i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit Partisë Demokratike edhe sa i takon reformës zgjedhore. Gjatë fjalës së tij, ministrit i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi u shpreh se mazhoranca i ka lënë të gjithë hapësirën pjesës së opozitës që është jashtë institucioneve që të kontribuojë me propozime brenda komisionit parlamentar të reformës zgjedhore. “I vetmi instrument që mund ta çojë përpara reformën është komisioni ad hoc parlamentar i reformës zgjedhore. Opozita jashtë parlamentare e ka të gjithë mundësinë që të sjellë propozimet e veta dhe të jetë pjesë e produktit që do të dalë nga komisioni”, nënvizoi ministrit i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi. Kujtojmë që edhe sa i takon reformës zgjedhore Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë një marrëveshje fluide, pasi drafti që ka shkuar në Kuvend dhe që po diskutohet në komisionin e reformës zgjedhore është i mazhorancës, por që ka edhe bekimin e demokratëve.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here