Qeveria është e vendosur për të mbështetur financiarisht reformën në drejtësi, e sidomos organet e reja të dala prej saj. Gazeta ka mësuar se Këshilli i Ministrave ka akorduar një fond të veçantë për dy organet kryesore që do të luftojnë korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar, sikundër janë Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, të cilat pritet të ngrihen së shpejti. Sipas informacioneve, mësohet se në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm parashikohet që për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të jepet një fond prej 371 mln lekësh. Po ashtu, mësohet se qeveria ka përcaktuar rritje të investimeve edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Në projektbuxhet parashikohet që për KLP të jepen 3.4 mld lekë. Ndërkohë, shtesa do të ketë dhe për institucionet qendrore të shtetit. Presidenca, Kryeministria dhe Kuvendi parashikohet të përfitojnë më shumë para për vitin e ardhshëm. Megjithatë, Kryeministria duket se do të marrë pjesën më të madhe të tortës, pasi nga 637 mln për vitin e ardhshëm parashikohet që ky institucion të marrë një 1 mld lekë. Sakaq, pavarësisht diskutimeve për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve të parakohshme, në buxhetin e shtetit nuk parashikohet fond i veçantë për vitin 2020. Nga ana tjetër, drafti 2020 nuk parashikon asnjë rritje pagash për qytetarët, ndërsa për pensionistët parashikohet vetëm një fond prej 2.5 mld lekësh, çka mund të jetë vetëm për indeksimin, një detyrim ligjor ky i qeverisë për të kompensuar rritjen e çmimeve. Kujtojmë që, qeveria në mbledhjen e saj të zhvilluar në 31 korrik ka marrë vendimin për përcaktimin e buxhetit për vitin 2019, për strukturën e re që po ngrihet në kuadër të reformës në drejtësi, SPAK-ut. Në vendimin e qeverisë thuhet se buxheti fillestar për vitin 2019 do të jetë njëqind e pesëdhjetë milionë lekë, për përballimin e shpenzimeve lidhur me ushtrimin e aktivitetit. “Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i përcaktohet për vitin 2019 buxheti fillestar prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve lidhur me ushtrimin e aktivitetit gjatë vitit 2019. Ngarkohen Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për ndjekjen e procedurave për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e qeverisë.









































