Kompozitorja Diana Ziu dhe bashkëshorti i saj, regjisori dhe aktori Vangjel Tavo kanë reaguar sërish për organizimin e festivalit të RTSH-së. Ata denoncojnë mungesën e transparencës në përzgjedhjen e këngëve të Festivalit të fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar.
Kënga e kompozuar nga Ziu dhe kënguar nga Marko Strazimiri nuk është përzgjedhur pa dhënë asnjë argument përse.
“Jemi të fyer në palc me mënyrën si po procedohet. Jam mëse e bindur që kënga ime nuk është dëgjuar. Këngët nuk janë dëgjuar fare. Nuk është e drejtë e Vera Grabockës për të vendosur nëse një këngë bën apo jo“ tha Diana.
Ata thonë se këngët janë përzgjedhur pa komision i cili është ngritur thjesht formalisht pasi këngët përzgjidhen nga Vera Grabocka.
“Komisioni është formal. Janë tre kukulla, një zog, një bretkosë dhe një gjel që kurdisen nga Vera Grabocka. Janë njerëzit tillë që janë future kastile për të marrë ajo. Ndërkohë Vera Grabocka para një viti ndoshta është caktuar si regjisore dhe e ka bërë listën e saj ”- tha Vangjel Tavo.