Iva Muasaraj vjen për lexuesit me romanin “Le të na bashkojë era”

0
412

“Le të na bashkojë era”, është një roman dashurie me nota romantike, afrime dhe largime, frikëra dhe pikëpyetje, që ndodhin shpesh në marrëdhëniet midis dy të dashuruarve. Ajo çka e bën të veçantë këtë roman, është fakti se personazhet janë të gjithë anonim dhe autorja luan bukur me përemra. Edhe vendet ku zhvillohet historia po ashtu janë anonim. Autorja, Iva Musaraj, i ka lënë qëllimisht personazhet dhe vendet pa emra, pasi çdo kush mund të gjejë veten mes atyre rreshtave dhe ngjarjet mund ti vendosë atje ku dëshira dhe fantazia e lexuesit dëshiron. “Le të na bashkojë era” është një roman i paqtë dhe i lehtë, gjuha që autorja, Iva Musaraj ka përdorur është një gjuhë e thjeshtë, por tepër e pasur me figura letrare. Ky është një roman, që sapo e merr ndër duar nuk shkëputesh dot dhe lexohet me një fryme. Autorja i ka veshur personazhet dhe mënyrën e tyre të jetesës me një stil unik bohemian, që e zhvendosin fantazinë e lexuesit larg prej Shqipërisë, por a i përket ky roman Shqipërisë tonë, kjo mbetet për tu parë. “Lë të na bashkojë era”, është romani i parë i Iva Musaraj dhe vjen në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Dudaj”. Pjesë nga romani: Për një çast ajo u shkëput prej dashurisë që e kishte mbështjellë dhe mori ndër duart e holla gotën e verës. E nuhati, e trokiti me gotën e tij që ndodhej në tryezë dhe, duke e shijuar, i tregoi se trokitja e gotës është kuptimplote. Ai po e dëgjonte me ëndje. Ajo i shpjegonte se, kur merr ndër duar një gotë verë, ke vënë në punë shqisën e të prekurit. E ndërsa e nuhat, ke përdorur shqisën e nuhatjes. Kur e pi, ke vënë në lëvizje të gjitha shqisat e ndijimit dhe të shijes. Kur e sheh verën brenda gotës, duke e rrotulluar lehtë, ke thirrur shqisën e të parit. E vetmja shqisë e trupit që nuk vihet në përdorim teksa shijon një gotë verë, është ajo e dëgjimit, andaj u vendos që gotat të trokiten me njëra-tjetrën e kështu çlirohet edhe shqisa e dëgjimit. Pra, vera mund të shijohet me të gjitha shqisat e trupit. E ndërkohë e trokiti edhe një herë gotën me të tijën dhe ngadalë e vuri në buzë. Iva Musaraj ka lindur në Tiranë. Ka mbaruar gjimnazin e përgjithshëm të profilizuar “Sami Frashëri”. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës për shkenca shoqërore në Fakultetin Histori Filologji në degën e Gjeografisë. Për një periudhë të caktuar ka punuar si gazetare në një gazetë të përditshme të pavarur, ku ka mbuluar Kulturën. Shkrimet e saj rreth kulturës sollën disa risi dhe ndryshime në mediat e shkruara, pasi ajo sillte në jetë me shkrimet e saj, artistë që kishin vite që ishin larguar prej skenës dhe i përkisnin një brezi, që dalëngadalë po harrohej. Ajo gjithashtu ka shkruar dhe ende shkruan për portale on line, tematika sociale. Aktualisht po punon për disa projekte, të cilat ende dëshiron ti mbajë surprizë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here