Një grup analistësh amerikanë për fjalën e lirë në internet tha sot se gjithnjë e më shumë qeveri po përdorin rrjetet social për të përhapur pikëpamjet dhe propagandën e tyre.
OJQ Freedom House tha në raportin e saj për lirinë në rrjet, se ajo që më parë ka qenë teknologji çliruese, si interneti, po kthehet në një kanal për survejim dhe manipulim elektoral. Studimi analizon në mënyrë krahasuese lirinë e internetit në 38 kombe dehj arrin në konkluzionin se gjithnjë e më shumë qeveri “po e përkulin teknologjinë drejt autoritarizmit dixhital”. “Shumë qeveri po kuptojnë se në mediat sociale funksionon më mirë propaganda sesa censura. Qeveritë autoritare dhe populiste në të gjithë globin po shfrytëzojnë natyrën njerëzore dhe algoritmet kompjuterike për të triumfuar në kutitë e votimit dhe duke iu shmangur rregullave të zgjedhjeve të lira e të drejta”, tha kreu i Freedon House, Mike Abramowitz. Ai shtoi: “Avancimet në teknologji dhe në inteligjencën artificiale po krijojnë një treg të gjerë të pakontrolluar në rrjetet sociale. raportime abuzimesh gjejmë dhe në vendet me standardet më të larta të lirive”.