ONM dhe DSIK “godasin” prokurorin e Krimeve të Rënda, pretendohet se ka kontakte me të inkriminuarit, Kulluri jep shpjegimet para KPK

0
319

Prokurori i Krimeve të Rënda, Përparim Kulluri doli dje para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Subjekti u hetua për të tre kriteret e rivlerësimit, pasurinë, figurën dhe aftësitë profesionale. Sipas raportit të dorëzuar nga ILDKP, prokurori ka bërë deklarim të saktë, nuk ka fshehje dhe nuk ka konflikt interesash. Relatorja e çështjes gjatë seancës bëri me dije se prokurori zotëron një apartament në Tiranë, blerë në 2006 për 6 mln e 500 mijë lekë, burim krijimi kredi bankare dhe kursime. Lidhur me këtë, KPK hetoi përmbushjen e kritereve ligjore të përfitimit të kredisë së butë. Rezultoi se kur ka aplikuar, subjekti nuk zotëronte ndonjë pasuri. Lidhur me shumën 500 000 lekë, rezulton se subjekti kishte mundësi të kursente këtë shumë. Ndërsa lidhur me kriterin e figurës, DSIK ka konstatuar se prokurori nuk është i përshtatshëm për të vijuar detyrën, pasi ka informacione se ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Sipas relatores, disponohen të dhëna që subjekti në 2012 dhe 2014 ka pasur kontakte jo rastësore të papërshtatshme. Ndërsa vëzhguesi i ONM tha se prokurori ka pasur kontakte me personin me iniciale A.B., i njohur edhe me inicialet M.B. Për shtetasin me iniciale A.B, ka informacione se ka qenë i proceduar në Greqi për “shitje të narkotikëve”, po ashtu, ai është hetuar për “Trafik ndërkombëtar narkotikësh” nga Krimet e Rënda. Relatorja bëri të ditur se nga sistemi Tims, rezulton se Kulluri ka kaluar disa herë kufirin me një automjet të shtetasit A.B. në vitet 2012. Në deklarimet e tij për figurën, subjekti nuk e ka deklaruar këtë kontakt. Për këtë situatë, prokurori deklaroi se nuk e ka takuar shtetasin A.B. që në vitin 1990, ndërsa mjetin ia ka marrë shtetasit M.D, që ky i fundit ia kishte marrë një shoku. Kulluri, për shtetasin A.B, tha se kanë qenë student para 30 vitesh, më vonë nuk kam pasur kontakte me të. “Pasi u njoha me aktet, konstatoj se sa i përket gjetjeve të ONM, dua të them që nuk kam dijeni se ai ishte hetuar në Shqipëri. Nuk kam dijeni se ai është hetuar në vitin 2014 nga Krimet e Rënda. Unë nuk mund ta dija një fakt të tillë, vetëm nëse do të isha prokuror i çështjes”, është shprehur prokurori. Ndërkohë që po dje, para KPK kanë dalë në seancë dëgjimore gjyqtarja e Apelit të Korçës, Brunilda Malo dhe Sulejman Kurti, kryegjyqtar në Gjykatën e Elbasanit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here