Mozaikët e parkut të “Apollonisë”, vazhdon puna për konservimin

0
447

Instituti i Monumenteve të Kulturës shprehet se po vijon puna në atelienë e konservimit të mozaikëve të shkëputur në parkun arkeologjik Apolloni. Puna po kryhet nën drejtimin e ekspertëve nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, Universiteti i Bolonjës, departamenti i trashëgimisë kulturore dhe fondacioni “Flaminia”. Në realizimin e këtij aktiviteti bashkëpunon, dhe ASHA si dhe Institutin e Arkeologjisë. Sipas IMK, në ditën e dytë janë kryer dokumentimi fotografik i pjesëve të mozaikut; ndarja më pas në katër seksione (A-D) për t’u përgatitur në vazhdim për vendosjen në panele; pastrimi i pjesëve të mozaikut nga papastërtitë. Të rinj italianë dhe specialistë të sistemit të trashëgimisë kulturore kanë nisur “Workshop-in në restaurimin e Mozaikëve mbi Konservimin didaktik të mozaikut të ambientit 11, sektori D”, i cili do të zhvillohet në datat 5-7 nëntor 2019. Një nga takimet më mbresëlënëse me historinë në Shqipëri është në qytetin antik të Apollonisë, themeluar në shekullin e gjashtë para Krishtit. I ndërtuar në tokat e Taulantëve Ilirë nga kolonizatorë grekë, qyteti ishte më i rëndësishmi nga mbi 20 qytetet në të gjithë Mesdheun, që merrnin emrin e perëndisë së muzikës dhe poezisë, Apollon. Falë monumenteve e rrënojave të shpërndara në kodrat e parkut arkeologjik (më i madhi në Shqipëri), vizitorët prekin nga afër shkëlqimin e periudhës helenistike dhe romake. Parku arkeologjik i Apollonisë është një nga më interesantët. Sikur të mos mjaftojë thesari arkeologjik në këtë park, brenda mureve gjendet dhe manastiri dhe kisha e Shën Mërisë, të cilat së bashku me muzeun Arkeologjik, që ndodhet brenda manastirit, i shtojnë akoma më shumë vlerat historike, arkitekturore e kulturore të parkut. Sipas disa studiuesve, një pjesë e manastirit mund të ketë datë edhe më të hershme nga sa besohet. Parku i Apollonisë është mjaft i vizituar gjatë gjithë vitit. Nuk mungojnë grupe të ndryshme turistësh të huaj, që njihen me pasuritë e këtij parku kombëtar, nga më të rëndësishmit në vendin tonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here