Këshilli i Lartë i Gjyqësorit ka ngritur dje alarmin për dosjet stok në Gjykatën e Lartë. Ka qenë anëtarja e KLGJ, Brunilda Kadi, e cila ka bërë dje një rezyme të gjendjes reale të gjykatave në të gjithë vendin me theks Gjykatën e Lartë që ka problematikën më të madhe. Kështu, sipas një raporti të relatuar në mbledhjen e djeshme mbi situatën në gjyqësor në periudhën prill-qershor 2019, zonja Kadi zbuloi se totali i dosjeve në pritje në Gjykatën e Lartë është 32106. Në këtë kontekst, ajo i bëri thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësorit që të marrë masa paraprake se si do të zgjidhet çështja e dosjeve stok pas formimit të Gjykatës së Lartë. “Në përmirësimin e kësaj situate, propozohet veç plotësimit të vendeve vakante edhe miratimi i rregullave të detajuara për programin dhe procedurat e ndarjes së çështjeve me short. Në lidhje me backlogun në Gjykatën e Lartë në shifrën 32 106 çështje propozohet marrja e masave paraprake nga KLGJ, të cilat do të ndihmojnë në shqyrtimin e sa më shumë çështjeve në momentin kur GJL do të jetë funksionale”, deklaroi Kadi. Ndërkohë, anëtarja e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, Brunilda Kadi shtoi se probleme me zvarritjen dhe dosje stok ka edhe në gjykata të tjera, përfshirë Administrativen. Më konkretisht, sipas saj, në Gjykatën e Tiranës janë mbi 500 dosje me zvarritje tej afatit të arsyeshëm, ndërsa zbuloi se mbi 7000 dosje të tjera janë tek Apeli Administrativ. “Tek Gjykata e Tiranës mbi 500 dosje me zvarritje tej afatit të arsyeshëm. Mbi 7000 dosje janë te Apeli Administrativ, zvarritje tej afatit të arsyeshëm. Vërejmë dorëheqje nga gjyqtarët paraprakë. Ka nevojë urgjente Gjykata Administrative e Shkodrës për gjyqtarë”, u shpreh ajo. Një tjetër problem është edhe regjistrimi audio në seancat gjyqësore që nuk aplikohet në Gjykatën e Tiranës. “Në gjykatën e Tiranës nuk aplikohet regjistrimi audio me argumentet se nuk kanë sallë”, nënvizoi Kadi. Ndërkohë, nga këto 31 gjykata ku mbështetet raporti, vetëm 5 prej tyre nuk kanë reaguar ose i kanë ridërguar gabim, e që janë konkretisht; Gjykata Administrative e Apelit Tiranë , Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë.