Pas atentatit të bujshëm ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe dy miqve të tij, Policia është ngritur në këmbë dhe deri më tani janë shoqëruar me dhjetëra persona si të dyshuar se kanë lidhje me ngjarjen apo që kanë informacion për të.
Ndërkohë mësohet se që prej mëngjesit të sotëm Policia e Shtetit ka vijuar kontrollet në të paktën tre qytete kryesore të vendit, për të bërë të mundur gjetjen dhe më pas shoqërimin e personave të dyshuar për atentatin e të premtes në drejtim të prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja dhe dy shoqëruesve të tij, Landi Muharremi dhe Andi Maloku.
Kontrollet janë të përqendruara kryesisht në zonën e Fushë-Krujës, në Tiranë dhe në Durrës, nga ka dyshime që të jenë dhe autorët e atentatit të Nëntorit.
Në orët në vijim pritet të jepen dhe emrat e të dyshuarve për atentatin, ndërsa pista kryesore vijon të mbetet ajo e vrasjes së mbetur në tentativë, për shkak të detyrës së prokurorit Ndoja.
Ky i fundit pas ngjarjes, kishte mohuar që të ishte objektiv i atentatit, ndërsa ende nuk është marrë dëshmia e Landi Muharremit, pasi ky i fundit ka marrë një plumb në zonën e nofullës, ç’ka ia bën të vështirë komunikimin.








































