Google search engine
Home Aktualitet Zbardhen detajet, atentati ndaj prokurorit Ndoja u krye nga një grup i...

Zbardhen detajet, atentati ndaj prokurorit Ndoja u krye nga një grup i strukturuar kriminal, ja dy pistat ku janë përqendruar hetimet

0
329

Dy janë pistat që ka ngritur grupi hetimor që po punon për zbardhjen e atentatit ndaj Arjan Ndojas dy ditë më parë në Shkozet. Prokurorët e Krimeve të Rënda, por edhe policia, janë përqendruar në pistën e vrasjes për shkak të detyrës të mbetur në tentativë ndaj prokurorit, por ata nuk kanë përjashtuar dhe pista të tjera të konflikteve personale të tij apo personave të tjerë që ndodheshin në automjet, Andi Maloku dhe Landi Muharremi. Por pistat për të zbardhur motivin e kësaj ngjarje vërtiten rreth dosjeve që ka shqyrtuar prokurori Ndoja apo problemeve në të cilat është përfshirë miku i tij Pëllumb Muharremi, që njihet si një ndër të fortët e Shijakut. Në këtë pikë, prokurorët nuk kanë mundur ende të përcaktojnë se kush ka qenë shënjestra e atentatit, prokurori Ndoja, miku i tij apo të dy bashkë. Grupi hetimor po shqyrton çështjet sensitive që kanë kaluar në duart e prokurorit, që kanë të bëjnë me hetimin e personave dhe aktiviteteve të ndryshme të paligjshme. Policia e Durrësit ka shoqëruar disa persona që kanë dijeni për ngjarjen dhe pasi janë marrë në pyetje janë lënë të lirë. Prokurorët Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj po i kryejnë hetimet për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja për dy akuza: atë të “Vrasjes për shkak të rrethanave cilësuese e mbetur në tentativë” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Por, pistat për të zbardhur motivin e kësaj ngjarje vërtiten rreth dosjeve që ka shqyrtuar prokurori Ndoja apo problemeve në të cilat është përfshirë miku i tij Pëllumb Muharremi, që njihet si një ndër të fortët e Shijakut. Sipas hetimit, në vendin e ngjarjes janë gjetur 20 gëzhoja, ndërsa automjeti ku ndodheshin tre personat është prekur nga 8 plumba. Ekspertiza e deritanishme ka përjashtuar mundësinë e shkëmbimit të zjarrit. Gjithashtu në laboratorin e Policisë Shkencore janë dërguar dhe dy armët tip automatik që u gjetën në makinën e autorëve të atentatit, i cili rezulton të jetë i vjedhur në Tiranë rreth 2 javë më parë, ndërsa targat ishin të falsifikuara dhe të mbivendosura. Ndryshe nga sa ka ndodhur në ngjarje të kësaj natyre, atentatorët nuk e kanë djegur mjetin për të humbur gjurmët. Kjo ndoshta për faktin se nuk kanë dashur të tërheqin vëmendjen e policisë, ndërsa kanë qenë banorët e zonës që kanë njoftuar policinë. Një provë tjetër që pritet të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes janë dhe kamerat e sekuestruara përgjatë itinerarit që ka përshkuar makina e prokurorit dhe autorëve. Gjithashtu janë sekuestruar dhe kamerat e lokalit ku ka drekuar prokurori për të parë personat e dyshimtë që mund ta kenë ndjekur atë brenda apo afër lokalit. Ndërkohë gjendja shëndetësore e shoferit, Andi Maloku, vazhdon të jetë e rëndë, ndërsa ndodhen jashtë rrezikut për jetën prokurori Arjan Ndoja dhe personi tjetër që ishte në makinë me të, Landi Muharremi.

Shoqërohen Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçe

Në lidhje me atentatin mafioz të dy ditëve më parë ndaj prokurorit Arjan Ndoja, grupi hetimor që ka marrë përsipër dosjen e atentatit të ndodhur në mbikalimin e Shkozetit ka konfirmuar se janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje dhe Plarent Dervishi dhe Juljan Meçe, të cilët janë lënë të lirë pasi u është marrë dëshmia. Shoqërimi dhe marrja e tyre në pyetje u krye nga grupi i hetimit, për shkak të një atentati të ndodhur ndaj tyre në muajin qershor të këtij viti dhe për faktin nëse ata dyshonin apo jo që këtë atentat mund ta kishte porositur Muharremi, i njohur edhe me pseudonimin “Rumi”. Burime brenda grupit të hetimit bëjnë me dije se nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se Dervishi dhe Meçe kanë qenë një lokal me kamera sigurie në momentin kur u realizua atentati ndaj makinës me të cilën udhëtonte prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi, i njohur si “i forti i Sukthit”. Përveç dy personave të lartpërmendur, Policia e Durrësit shoqëroi mbrëmjen e atentatit 20 persona në komisariat që mendohet se mund të kishin dijeni për ngjarjen./Elvis MYRTA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here