Prokuroritë e Përgjithshme ka vënë në monitorim të gjitha prokuroritë në vend, sa i takon transferimit të dosjeve te Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. 31 tetori ishte afati i fundit për prokuroritë që të dorëzonin të dhënat mbi dosjet që do kalojnë te SPAK, ndërsa sapo kjo strukturë të jetë gati do nisë dhe kalimi i dokumenteve. Por një burim në Prokurorinë e Përgjithshme i tha gazetës se ekziston rreziku që për shumë çështje të pushohen qëllimisht hetimet, për të shmangur kalimin në SPAK. Ka shumë prokurorë që e dinë se do të ngelin dhe frika është që po pushohen hetime për zyrtarë të caktuar apo personazhe të botës së krimit, me qëllim që t’i shpëtojnë SPAK. Pikërisht për këtë arsye ka dalë dhe një udhëzim i kryeprokurores Arta Marku. Më datë 1 nëntor, të gjithë krerëve të prokurorive në vend u është dërguar një udhëzim, ku u kërkohet që të mos pushojnë asnjë hetim pasuror pa informuar më parë Drejtorinë e Pastrimit të Parave. Kryeprokurorja Arta Marku, një vit më parë nxori një udhëzim, ku u kërkonte të gjitha prokurorive në vend që të nisin hetimet pasurore për të gjithë ata persona të akuzuar për korrupsion e krim të organizuar, për të cilët nuk ka pasur hetim pasuror më përpara. Këtu përfshihen çështjet në hetim, çështjet e mbyllura dhe ato të dërguar në gjykatë. Procesi i vetingut ka konstatuar se shumë prokurorë kanë shmangur hetimin pasuror për shumë kriminelë edhe pse ligji i detyron. Bëhet fjalë për ligjin antimafia, i cili e përcakton qartë se kur një peron akuzohet për krim të organizuar, trafiqe droge, apo korrupsion, automatikisht hyn dhe në verifikim pasurie për të parë nëse e justifikon dhe nëse e ka vënë me para të pista. Por në pjesën dërrmuese të rasteve nuk ka pasur hetime dhe Marku nxori udhëzimin në fjalë. Vetëm te Krimet e Rënda janë 900 hetime pasurie momentalisht që duhet të kalojnë te SPAK. Por derisa të mbyllet transferimi i dosjeve, ekziston frika se mund të pushohen çështjet dhe për këtë arsye Prokuroria e Përgjithshme ka rritur vigjilencën.
Inspektorati i Drejtësisë
Aktualisht prokurorët dhe gjyqtarët janë në liri të plotë. Mund të kryejnë shkelje dhe të mbyllin në fshehtësi dosjet dhe nuk u hyn dot gjemb në këmbë. Arsyeja është sepse mungon Inspektorati i Drejtësisë. Ligji i vjetër parashikonte që në prokurori i bënte inspektimet Ministria e Drejtësisë, ndërsa në gjyqësor Inspektorati i KLD. Por që kur hyrën në fuqi ndryshimet kushtetuese në 2016, këto institucione nuk bëjnë dot asnjë inspektim. Kjo do të thotë se prej 3 vitesh si gjykata ashtu dhe prokuroritë janë lënë në gjendje të lirë dhe askush nuk e di se si janë zbatuar afatet e hetimeve e të gjykimeve apo dhe nëse ka pasur abuzime. Por gazeta ka mësuar se sapo Inspektorati i Drejtësisë të ngrihet, do nisë një verifikim i thellë në të gjithë vendin, përfshirë dhe për rastet e dosjeve që kanë kaluar te SPAK. Ka shumë nga ata emra që kanë bërë të gjitha lëvizjet që t’i shmangen SPAK dhe me ndihmën e prokurorëve dhe gjyqtarëve disa ja kanë dalë. Një lëvizje të ngjashme tentoi dhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Ai doli dy herë kundër zgjatjes së hetimeve, por u refuzua dhe do jetë nën hetim nga SPAK. Por në prapavijë ka shumë të tjerë që kanë bërë të tilla manovra dhe dyshimet janë se disa ja kanë hedhur të shmangin transferimin e dosjeve./Kliti Topalli








































