Avokati Spartak Ngjela ka bërë dje një paralajmërim për politikën, teksa ka analizuar dhe shpjeguar se si do të likuidohen 60% e elitës përmes reformës në drejtësi. Me anë të një statusi në Facebook, Ngjela ka shkruar se Shqipëria ndodhet më në fund në pragun e ndryshimit të madh, duke iu referuar implementimit të reformës në drejtësi dhe garancisë amerikane për funksionimin e saj. Ngjela shprehet se korrupsionit të lartë shtetëror po i vjen fundi. “Kjo reformë mendohet të likuidojë 60 për qind të elitës politike në Shqipëri. Dhe pas kësaj, pa shitësit e interesit kombëtar, procesi sigurisht që do të kalojë në korrigjimin real të padrejtësive shekullore kundrejt Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor. Sot, janë politikat e mëdha, politika amerikane dhe ajo gjermane të cilat, duke iu referuar historisë reale si shkencë, kanë deklaruar të vërtetën se etnia shqiptare është etnia më e vjetër në Gadishullin Ballkanik. Domethënë që koha e sotme flet për shqiptarët”, ka deklaruar Ngjela. Në një analizë të gjatë, Ngjela ka shkruar edhe për konspiracionin ndërkombëtar, siç ka dashur ta cilësojë ai. Ai është shprehur se Shqipëria dhe Kosova kanë hyrë në procesin e shpëtimit të madh të shqiptarëve autoktonë në Ballkanin Perëndimor. “SPAK në Tiranë dhe kryeministri Kurti në Kosovë, në qeverinë Kurti-Osmani, janë dy aspektet realë politikë që, siç duket, historia i ka sjellë për të ndaluar shitjen e interesit kombëtar. Kurse, e gjithë situata aktuale kuptohet se ka hyrë në hullinë ku do të kryhet akti përfundimtar kundër konspiracionit 180-vjeçar antishqiptar, të drejtuar nga Stambolli Osman, Patriarkana Ortodokse e Stambollit në fillim, e pastaj, nga Moska, Beogradi, Athina, e Parisi”, ka shkruar ndër të tjera Ngjela. Më tej ai vijon duke thënë se edhe politika amerikane e njeh këtë konspiracion antishqiptar. Teksa shton se vetëm prej forcës së Amerikës ky konspiracion antishqiptar ka arritur të zbehet. “Kjo situatë antishqiptare, që ka filluar me dhunë të epërme pas pavarësisë së Greqisë në vitin 1821, ka vijuar me Kongresin e Berlinit në vitin 1878 dhe pastaj u kurorëzua me humbjen e rreth 70 mijë km2 territor shqiptar në vitin 1913. Por, për vetë rrethanat historike, tani po kuptohet qartë se ky konspiracion i gjatë antishqiptar ka mbërritur drejt fundit të tij”, ka shkruar Ngjela në rrjetet sociale.









































