Deputeti i opozitës parlamentare, njëherësh kreu i Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi ka ndërmarrë një nismë ligjore duke depozituar në Kuvend një projektligj për ish të dënuarit politik. Përmes këtij projektligji, Artur Roshi kërkon që dëmshpërblimi për ish të përndjekurit duhet të nisë para vitit 1944, pra periudhë kjo që përkon me ballistët. Në një reagim për media, Roshi bëri me dije se qëllimi i këtij projektligji është që të përfitojnë familjet e viktimave që janë pushkatuar pa gjyq. “Së pari unë kam dashur të përputh statusin e ish të përndjekurve politik i cili fillon nga 8 nëntor i vitit 1941 deri në 1990. Statusi duhet të përputhet me dëmshpërblimin. Dëmshpërblimi në ligj është nga viti 1944 deri në 1990. Së dyti unë me këtë nismë nuk kam dashur që të preken dëmshpërblimet që u janë dhënë në forma të ndryshme, ndër vite deri më sot këtyre ish të përndjekurve. Pra që kanë përfituar nga ligjet e tjera. Pra kanë marrë ndoshta banesa, kanë qenë si karabina i kanë adoptuar përsëri me paratë e tyre. Ndërsa sot iu zbritet atyre sikur është një ndërtesë luksi në mes të Tiranës. Së treti të përfitojnë edhe familjarët e viktimave të pushkatuar pa gjyq”, u shpreh Roshi. Por kjo deklaratë e kreut të Ballit Kombëtar Demokrat ka irrituar veteranët dhe funksionarët e partive komuniste. Në një reagim për gazetën “SOT” Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, Odhise Porodini, u shpreh se ky është një propozim absurd. Porodini u shpreh se përmes këtij projektligji po kërkohet mbështetje financiare për ata që kanë vrarë dhe prerë njerëz të pafajshëm dhe që janë dënuar edhe nga Gjykata e Hagës për krimet që kanë bërë. “Kjo është një tentativë e dëshpëruar e tyre. Kjo nuk mund të realizohet kurrë sepse ata u vranë duke qenë bashkëpunëtorë me fashistët dhe nazistët. Ata nuk u vranë se dolën në shesh dhe u qëlluan nga partizanët. Ata vranë, prenë dhe dogjën. Si mund të marrin dëmshpërblim ata, janë kriminelë të gjithë, janë dënuar edhe në Hagë. Ky është një propozim absurd që nuk mund të merret në konsideratë dhe as nuk duhet të mendohet fare”, tha Porodina për gazetën.
Reagon Partia Komuniste
Po ashtu, kundër propozimit të Artur Roshit ka dalë edhe kreu i Partisë Komuniste të Shqipërisë 8 Nëntori, Preng Çuni. Në një reagim për gazetën “SOT”, Çuni u shpreh se ballistët duhet të ndihen të turpëruar për bëmat e paraardhësve të tyre, duke theksuar se ata nuk kanë turp dhe dalin me këto projektligje. “‘Nuk kam turp, s’ke ç’më bën-kjo sentencë do t’u shkonte për shtat atyre pinjollëve të ballistëve. Këta në vend që të ulin kokën e të ndjehen të turpëruar nga “bëmat” e prindërve të tyre në vitet e Luftës Nacional Çlirimtare, ngrenë kokën e kakarisin si “gjeli majë plehut”, duke kërkuar edhe dëmshpërblim për tradhtinë e tyre ndaj popullit dhe atdheut. Organizata famëkeqe e Ballit Kombëtar është produkt i “ofiçinës” Luogotenences dhe ka dalë në ato momente kur prestigji e autoriteti i PKSH dhe i Frontit Antifashist ishte rritur, kur po zgjerohej vazhdimisht numri i çetave e njësive partizane, kur populli po e shikonte dhe po bindej çdo ditë e më tepër me fakte se PKSH dhe Fronti Antifashist Nacional Çlirimtare ishin forcat e vetme reale të luftës kundër pushtuesit”, tha ai. Çuni shpërtheu në akuza në drejtim të deputetëve të opozitës në Parlament, Artur Roshi dhe Adriatik Alimadhi, duke shtuar se pavarësisht tentativave ata nuk do të fitojnë asnjë dëmshpërblim. “Në Parlament sot kanë hyrë turli lloj mostrash, pa shkollë e pa din e pa iman, shkurt ajo nuk është “Oda e burrave të mençur”, por atyre që njohin si të “shenjtë” euron e dollarin. Aty janë edhe ballistët e tipit Roshi apo Alimadhi të cilët ashtu sikur etërit e tyre dje zihen për kockat që u hedhin të tjerët dhe krekosen si për të thënë se jemi edhe ne këtu, ndaj mos na harroni, na hidhni ndonjë gjë. Por s’kanë për të fituar asgjë veç “qenit të ngordhur” apo faqen e zezë të tyre”, tha Preng Çuni./Elisjeda Kiko









































