Google search engine
Home Politike Largimi i Kajmakut dhe Pjetrit, Sokol Hazizaj: Presidenti duhet t’i referohet Kushtetutës,...

Largimi i Kajmakut dhe Pjetrit, Sokol Hazizaj: Presidenti duhet t’i referohet Kushtetutës, nuk ka të drejtë të mbajë bashkitë pa kryetarë

0
309

Largimi i Valdrin Pjetrit dhe Agim Kajmakut nga bashkitë e Shkodrës dhe të Vorës ka sjellë reagime të ndryshme nga juristë dhe konstitucionalistë. Vendimmarrja unanime e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i ndërprerë mandatin kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku i hapi rrugë riaktivizimit të një konflikti të hapur mes qeverisë dhe Presidentit të Republikës. Vendimmarrjen e saj KQZ do t’ia përcjellë kryeministrit Rama, i cili pasi të ketë firmosur shkarkimin e kryebashkiakut të propozuar prej tij, do të duhet t’ia përcjellë këtë informacion Ilir Metës dhe t’i kërkojë një datë për zgjedhje të pjesshme në Vorë. Por a mund të shpallë Ilir Meta zgjedhje të pjesshme në Vorë dhe Shkodër në kushtet kur ai nuk e njeh 30 qershorin? Juristi Sokol Hazizaj në një reagim për mediat, u shpreh se presidenti Ilir Meta duhet t’i referohet Kushtetutës, duke theksuar se nuk është në dorë të kreut të shtetit të mbajë peng një bashki. “Detyra e tyre është vetëm të prodhojnë aktet për të ndihmuar qytetarët të realizojnë një të drejtë kushtetuese. Kapërcimi i çdo lloj konflikti personal këtu në Shqipëri bëhet vetëm nëpërmjet akteve kushtetuese. Por nëse kjo nuk ndodh, do të thotë që organet tona nuk funksionojnë në raport me Kushtetutën. Ata që nuk prodhojnë aktet janë jo kushtetues. Gjëja që e zgjidh këtë problem është njohja e zgjedhjeve të 30 qershorit ashtu siç janë ato, për të prodhuar një dekret tjetër për t’u krijuar mundësi qytetarëve të Shkodrës dhe të Vorës për të votuar një kryebashkiak. Në ligj dhe në Kushtetutë parashikohet që dy organet, që është kryebashkiaku dhe këshilli bashkiak, vijnë për shkak të zgjedhjes së drejtë të qytetarëve përmes votës. Këtu nuk është në dorën e presidentit dhe kryeministrit për të mbajtur një pushtet pa kryetar”, tha Sokol Hazizaj. Ndërsa ish-kreu i KQZ Kristaq Kume deklaroi se kësaj krize mund ti jepet fund vetëm përmes dakordësisë politike. Në një reagim për mediat, ai tha se Kushtetuta i jep të drejtë vetëm presidentit për të dekretuar një datë të re për zgjedhjet e pjesshme në këto dy bashki. “Si në rastin e Shkodrës, ashtu dhe në rastin e Vorës në fund është Presidenti i Republikës ai që në fund duhet të shprehet me dekret për datën se kur duhet të bëhen zgjedhjet për këto dy bashki. Referuar situatave që kemi kaluar deri tani, e bën të vështirë që presidenti ti bjerë ndesh sjelljes së tij të mëparshme dhe të dekretojë një datë zgjedhje për zgjedhjet e pjesshme për këto dy bashki. Presidenti i Republikës të thërrasë forcat politike dhe vetëm pasi të marrë dakordësinë e tyre që janë të gatshme të hyjnë në një proces zgjedhor, mund të dekretojë datat për këto dy bashki”, tha Kume.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here