Ish-kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ka akuzuar dje kreun demokrat Lulzim Basha, se po vjedh fushatat e të rinjve. Kreu demokrat vendosi që të nisë një tur takimesh në bazë. Por sipas Spahiut, e gjitha është e kopjuar. “Sot Lulzim Basha shpalli fushatën “Turi i shpresës”, dy muaj pasi rinia ka filluar lëvizjen “Thurja e Shpresës”. Prej dy muajsh një nga lëvizjet më popullore në Shqipëri kishte nisur një fushatë të ashtuquajtur “Thurja e shpresës”! Dhjetra intelektualë të rinj nën drejtimin e Dr. Endri Shabanit, Erion Kristos, Besian Peshës etj, kanë mbushur sheshet dhe sallat, por mediat qeveritare dhe opozitare e kanë censuruar dhe na është dashur ta ndjekim vetëm nga Facebook apo rrjetet sociale! Thurja e shpresës mbushi sheshet e Korçës, Durrësit, Tiranës dhe shumë qyteteve gjatë ditëve kur Lulzim Basha ishte me pushime në Portugali. Të gjitha mediat janë mbyllur për nismën “Thurja” dhe opozita është xhelozuar maksimalisht, njësoj siç ndodhi me lëvizjen studentore ku Basha dhe Berisha nuk u lejuan në shesh të afroheshin. Kujtojmë që një muaj më pas opozita dogji mandatet e frikësuar se një opozitë e re po linde”, tha ai. Sipas Spahiut, me gjithë paralajmërimet për revolucion, opozita vazhdon proteston me konferenca shtypi nga selia e SHQUP. Sipas tij, Nisma Thurja po fitonte terren çdo ditë, ndërkohë që Basha gënjente. “Nëse krahason portalin Thurja, me faqen e Partisë Demokratike do kuptoni ndryshimin dhe popullaritetin e lëvizjes në raport me opozitën. Lideri i “Thurjes shpresa” shkatërroi në një debat televiziv liderin e demokratëve Sali Berisha me argumenta, duke arritur një audiencë me mbi 1 milion klikime. Thurja për shpresën po kërkon ndryshimin e sistemit elektoral, gjë e cila përkthehet nxjerrje në pension për Ramën, Berishën, Metën. Thurja për shpresën është një dritë jeshile që xhaketat e vjetra të largohen”, tha Spahiu. Sipas tij, e gjithë kjo ndodhi prej ish-kryeministrit Sali Berisha, pasi ky i fundit, pretendon Spahiu, i ka thënë Bashës se e vetmja formë që të mbetet në politikë, është të shkatërrojë fushatën në fjalë. “Thurja për shpresën po kërkon ndryshimin e sistemit elektoral, gjë e cila përkthehet nxjerrje në pension për Ramën, Berishën, Metën. Dje Berisha thirri në zyrë Lulzim Bashën dhe i tha: “Ti ke vetëm një shpresë të mbetesh në politikë. Rrëmbe kauzën Thurja e shpresës dhe quaje “Turi i shpresës”. Shkatërroi alternativat e reja se ato janë armiku apo rivali yt, dhe jo Edi Rama. Ai do largohet vetë një ditë, por mos lejo askënd të dalë ajo opozitë e re”. Mos u çudisni me vjedhjen e fundit se kështu kanë rrëmbyer dhe minuar me dhjetëra kauza nga ato Kuqezi dhe deri tek Thurja”, shkruan Spahiu.









































