Në makinën e prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, në momentin e atentatit ishte edhe Landi Muharremi i njohur ndryshe si ‘i forti i Shijakut’. Ai u plagos rëndë dhe ndodhet në spital ku po merr mjekim të specializuar dhe është në gjendje kritike për jetën.
Mirëpo Muharremi nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi akuzohet për një sërë veprash kriminale, ndër to edhe për dhunimin e biznesmenit amerikano-libanez Fadi Mitri në vitin 2016. Mësohet se Landi Muharremi mbante edhe identitetin tjetër Aleksandër Laho apo edhe Pëllumb Muharremi.
Në atë kohë foton e Muharremit e publikoi edhe gazetari Blendi Fevziu në emisionin e tij “Opinion”. Më 30 qershor Fevziu e prezantoi para publikut si personin që kishte rrahur biznesmenin libanez.
Por Muahrremi i dërgoi një mesazh Fevziut duke i thënë se nuk kishte lidhje me ngjarjen në fjalë, ndonëse policia e kishte shpallur në kërkim si një person të përfshirë.
Një ditë më parë gazetari Fevziu pyeti dhe kryeministrin Edi Rama për dhunën ndaj Mitrit dhe kreu i qeverisë tha se të gjithë autorët ishin arrestuar.
Në shtator të vitit 2016, Mitri u dhunua me shkop bejzbolli nga tre persona, dy prej të cilëve ishin Landi Muharremi dhe kushëriri i tij Skënder Kraja.
Fadi Mitri ishte president i kompanisë ‘Omnix Albania’ dhe do të investonte 450 milionë euro tek Gjiri i Lalzit, duke premtuar se ky investim do ta kthente Shqipërinë në një nga destinacionet kryesore turistike në Ballkan.
Por pas dhunimit nga Muharremi, i cili kishte pretendime mbi tokën, biznesmeni libanez u largua nga Shqipëria dhe u tërhoq nga investimi.

