Google search engine
Home Aktualitet “Boeing Boeing”, me aventurat e Bernard për publikun te “ArTurbina”

“Boeing Boeing”, me aventurat e Bernard për publikun te “ArTurbina”

0
388

Komedia “Boeing Boeing” këtë fundjavë shfaqet për publikun në skenën e “ArTurbinës”. Një nga shfaqjet e suksesshme e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, i cili bën me dije do të vazhdojë edhe gjatë javës, që vjen për publikun. “Për të gjithë ata, që nuk gjetën bileta këtë javë shfaqja vazhdon në datat 8-9-10 nëntor ora 19:00”, shprehet teatri. Aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe vijnë në komedinë me autor Marc Camoletti, përkthyer me mjeshtëri nga Nasi Lera. Vepra është në skenë me regji nga Kiço Londo dhe në role janë aktorët Amos Muji Zaharia, Rudina Dembacaj, Gentian Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Adriana Tolka dhe Katertina Fili. Bazuar në një farsë klasike të shkruar nga dramaturgu francez, Marc Camoletti, në vitin 1960, kjo vepër arriti të rrëmbej dy çmime, Tony Aëard në 2008 dhe Broadway Revival Edicion, po atë vit. Ngjarjet në komedinë “Boeing Boeing” ndodhin në Paris në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, “Boeing Boeing” sjell aventurat e beqarit francez Bernard me tri stjuardesa, një franceze një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e tij. Më parë Bernardi ka ditur t’i xhonglerojë këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij Robert lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën. Bernard e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën të varur. Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dal nga situata falë mikut të tij, Robert. “Boeing Boeing” është një shfaqje teatrore e rajonit Durrës- Lezhë dhe me shumë sukses është dhënë më parë në sallat e teatrove në Durrës, Elbasan, Fier, Tiranë, Shkodër dhe Korçë. Teatri i rajoneve ka qenë një projekt, që është mirëpritur nga publiku në skena të ndryshme. Projekti, që sjell në skenë vetëm dramaturgjinë bashkëkohore franceze ka rezultuar me sukses deri tani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here