Lojtarët e Kombëtares janë të fokusuar me skuadrat e tyre në Europë e në të njëjtën kohë po presin ftesën nga trajneri Edi Reja për grumbullimin e radhës, ai i muajit nëntor, që bëhet në kuadër të dy ndeshjeve të fundit në grupin H eliminator për Europianin e vitit 2020. Përballë do të jenë Andorra e më pas Franca. Janë dy takime ku kuqezinjtë shpresojnë të marrin maksimumin dhe duke shpresuar nga ana tjetër në dështimin e Islandës në të paktën një nga ndeshjet e saj, të marrin vendin e tretë në grup, një objektiv që do të kënaqte deri diku ekipin dhe stafin teknik. Është fakt që ndeshjet e fundit nën drejtimin e trajnerit Reja kanë dhënë efekte të mira, pasi skuadra funksionon në planin tekniko-taktik dhe përgjithësisht loja ka qenë bindëse, madje në rritje të vazhdueshme, dëshmuar dhe me rezultatet e mira pasi në tri takimet e fundit janë korrur dy fitore (ndaj Islandës dhe Moldavisë) dhe një humbje e pamerituar 1-0 ndaj Turqisë. Pra Reja është optimist dhe skuadra gjithashtu. Mbetet të shihen dy duelet e fundit, por vëmendja natyrisht është tek dueli madhor me Francën, e cila do të jetë një kundërshtar special në këtë fazë, pasi do të masë realisht forcën e kuqezinjve. Ndërkohë, në kuadër të dy takimeve të fundit, trajneri Reja mori dy lajme të mira dhe këto kanë të bëjnë me rikthimin nga dëmtimi të lojtarëve. Shpresohet shumë të rikuperohen edhe Abrashi e Sadiku, por si sulmuesi ashtu dhe mesfushori duket se kanë dëmtim më të rëndë sesa parashikohej dhe pritet të mos jenë në duelet e nëntorit ndaj Andorrës e Francës. Por rikthehet Hysaj dhe Memushaj, që janë pikë e fortë e skuadrës tonë kombëtare.
Hysaj një shans më shumë për kuqezinjtë
Është pothuajse zyrtare: Hysaj mund të luajë në fushë ndaj Andorrës dhe Francës, megjithëse rikuperimi i tij vijon tek Napoli. Gjendja duket premtuese dhe kjo ka nxitur entuziazmin në stafin e trajnerit Edi Reja. Kështu, mësohet se kapiteni i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Elseid Hysaj, sipas të gjitha gjasave do të jetë i gatshëm për dy takimet e radhës së kombëtares kuqezi ndaj Andorras në Elbasan Arena dhe ndaj Francës në Arenën Kombëtare. Hysaj i cili po qëndron jashtë fushave të futbollit që nga fillimi i muajit tetor për shkak të një dëmtimi që pësoi në shpinë në ndeshjen ndaj Torinos. Kuqeziu është rikthyer në stërvitje me Napolin këtë të enjte dhe shumë shpejt do të jetë i gatshëm për të zbritur në fushë. Në këto momente duke patur parasysh edhe dëmtimin e rëndë të Malkuit, Ançeloti ka shumë nevojë për shqiptarin pasi pritet ta përshtatë Hysajn në krahun e majtë të mbrojtjes me Di Lorenzon që do të spostohet në të djathtë pasi në krahun e majtë mungon edhe Ghoulam i cili gjithashtu është i dëmtuar.
Memushaj, tjetër përforcim për Edi Rejën në duelin kundër Francës
Kombëtarja shqiptare do të grumbullohet pas pak ditësh për ndeshjet ndaj Andorrës dhe atë ndaj Francës. Kuqezinjtë e kanë mbyllur ëndrrën e tyre për një kualifikim në Europian dhe vetëm një mrekulli do të lejonte të kualifikoheshim, siç mund të jetë përjashtimi i Turqisë dhe renditja në vendin e tretë në klasifikim. Në prag të grumbullimit, dy lajme të mira vijnë nga Italia për Edi Rejan. Emanuele Ndoj ka lënë pas dëmtimin e pësuar disa muaj më parë dhe këtë mesjavë zbriti në fushë kundër Interit, duke debutuar në Serinë A. Mesfushori shqiptar, është një nga më të mirët e skuadrës së Breshias dhe natyrisht një armë plus për skuadrën tonë Kombëtare. Ndërkohë, një tjetër rikthim i rëndësishëm është ai i Ledian Memushajt. Mesfushori u dëmtua pak ditë më parë dhe mungoi në ndeshjen e fundit të Peskarës teksa pritet të jetë titullar në ndeshjen e radhës. Mediat italiane raportojnë se Memushaj e ka lënë pas dëmtimin e mësuar, ndërkohë që dëmtimi i portierit, i ka dhënë mundësi Elhan Kastratit për të qenë titullar në këto ndeshje.
Adriatik BALLA