Afrimi i SPAK dhe i Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka tmerruar jo vetëm gjyqtarët e prokurorët, por dhe shumë politikanë në vend. Dihet se miliona euro kanë shkuar në Qipro, Maltë, Singapor, ishujt Kajman, etj, apo janë investuar në kompani off-shore. SPAK do ketë një departament special vetëm për këtë gjë dhe çdo lek i nxjerrëjashtë vendit do gjendet. Pritet që të bashkëpunohet me 7-8 agjenci të huaja, përfshirë dhe FBI. Kjo ka trembur politikën shqiptare. Mjafton të shohësh deklaratat e tyre të pasurisë dhe sheh që çdo deputet ka 3-4 apartamente, makina luksoze dhe dhjetra biznese. Ajo që i shqetëson tjetër është se çdo pasuri e dyshimtë do sekuestrohet. Në SPAK do ketë një grup ekspertësh që do bëjnë llogaritjen e pasurisë. Secili do llogarisë të ardhurat vjetore të politikanëve dhe njerëzve të drejtësisë dhe do bëjë një bilanc në lidhje me pasurinë e paluajtshme. Nëse vlera e objekteve del dy herë më e lartë, atëherë ajo do sekuestrohet dhe zyrtarët do shkojnë pas hekurave. Por një tjetër element që ata i frikësohen është se hetimet do shkojnë deri te brezi i katërt. Sot ndiqet një praktikë e tillë që pasuritë janë në emër të të afërmve të tyre. Mirëpo SPAK do hetojë gjithë krushqitë dhe kushërinjtë deri në brezin e katërt. Kjo do të thotë se askush nuk do ketë shpëtim. Kjo gjë i ka trembur jashtë mase si gjyqtarë, prokurorë dhe politikanë dhe të gjithë synojnë bllokimin e reformës. Në Shqipëri pritet të ndiqet shembulli kroat dhe rumun. Në Kroaci është ngritur USKOK, e njëjtë me SPAK dhe deri më tani janë arrestuar mijëra zyrtarë. Aktiviteti i USKOK përgjatë viteve është karakterizuar nga suksesi dhe eficenca. Gjatë viteve 2007 – 2014 janë kryer mijëra hetime dhe 3454 persona janë akuzuar dhe janë dërguar përpara gjykatës 3098 persona, 2915 prej të cilëve janë dënuar. Zyrtarë të nivelit lartë janë akuzuar dhe dënuar përfshirë ish-kryeministrin e Kroacisë, dy zëvendës ministra, ministri i Brendshëm, ambasadori i Kroacisë në Kombet e Bashkuara (OKB), gjeneralë të Ushtrisë Kroate si dhe zyrtarë të lartë të Agjencisë së Sigurimit dhe Shërbimeve Inteligjente. Janë hetuar gjithashtu dhe disa kryetarë bashkish, prefektë, kryetarë komunash, zyrtarë të lartë të tatim-taksave, profesorë universitetesh të Kroacisë si dhe disa gjyqtarë.










































