Google search engine
Home Sport Ndizen polemikat, arbitrat dhe VAR po shkatërrojnë futbollin italian

Ndizen polemikat, arbitrat dhe VAR po shkatërrojnë futbollin italian

0
445

Gjyqtarët dhe VAR-i u bënë protagonistë negativë në kuadër të javës së 11-të të Serisë A italiane, duke prodhuar debate dhe tensione, aq sa të vihet në diskutim aftësia e “xhaketave të zeza” të futbollit italian dhe vetë teknologjisë së videoasistencës (VAR-ndihmësgjyqtari i videos). Polemikat në Napoli-Atalanta u pasuan nga ato në Juventus-Xhenoa, për kartonin e kuq që gjyqtari i ri Xhiua i dha Kasatas i cili ishte shumë i ekzagjeruar, por edhe për kartonin e kuq të mohuar ndaj Bentankur në minutat e fundit dhe pse jo ndaj Ruganit që në pjesën e parë. Megjithatë Xhiua i vuri kapak gjithçkaje me penalltinë që akordoi në favor të Ronaldos në minutat, 11-metërsh që u kthye në gol nga portugezi dhe që i dha fitoren bardhezinjve me shifrat 2-1. Kontakti me Sanabrian ishte por Ronaldo e kërkoi atë dhe hedhja ishte shumë e shëmtuar pavarësisht prekjes së lehtë që pati nga sulmuesi i Xhenoas. Një penallti e ngjashme iu dha Imobiles në Lacio-Atalanta pak ditë më parë, por jo çdo prekje e tillë është penallti edhe pse në këtë rast Xhiua u konsultua edhe me VAR-in. Penalltia e akorduar në favor të Ronaldos ka ngjallur irritimin e vëllait të lojtarit të Napolit Lorenzo Insinje, Markos i cili ka bërë një postim në Instagram teksa komenton: “VAR-i ku është? Jeni shkatërruesit e futbollit italian”. Fjalë këto në drejtim të arbitrave që vinë menjëherë pas atyre të presidentit të Napolit De Laurentis. Në foton e publikuar nga Marko Insinje ka komentuar edhe kapiteni i Xhenoas Domeniko Krishito i cili nuk luajti në këtë sfidë për shkaqe dëmtimi me këtë të fundit që shkruan “sa e shpifur”, por më pas Krishito e ka fshirë komentin. Një grup politikanësh që përkrahin klubin e Napolit kanë kërkuar përgjigje në Parlament pas barazimit kontrovers të ekipit të dashur të tyre me Atalantën. Refuzimi që t’i akordohej një penalti Napolit dhe barazimi 2-2 me Atalantën në mbrëmjen e së mërkurës ka nxitur reagim të këtyre politikanëve. Një grup prej 12 politikanëve me lidhje me ekipin e Napolit kanë bërë pyetje parlamentare për Ministrin e Sportit në Itali. Ata kanë pyetur se “çfarë iniciativa do të ndërmarrë Qeveria për të siguruar korrektësi dhe paanshmëri në Serie A për miliona futbolldashës?” Pyetja erdhi pas “penaltisë së mohuar ndaj Napolit në një çështje të qartë dhe refuzimi i gjyqtarit për të përdorur teknologjinë VAR”. “Napolit iu mohuan qartë dy pikë në tavolinë, për ta lënë në pozitën e pestë”, kanë shtuar ata. Ndërkohë, tekniku io Napolit, Karlo Ançeloti, është dënuar me një ndeshje, për shkak të kartonit të kuq që mori gjatë ndeshjes Napoli-Atalanta (2-2). Kështu, dje është mbledhur Komisioni i Disiplinës në lidhje me këtë çështje dhe ka pezulluar Ançelotin. Në fakt, trajneri italian ia ka hedhur paq duke qenë se do të mungojë vetëm një ndeshje për shkak të kartonit të kuq dhe vetë Federata nuk i ka dhënë penalizim tjetër por vetëm këshillim. Ai do të mungojë në ndeshjen e radhës për shkak të kundërshtimeve që u ka bërë vendimeve të gjyqtarit teksa këtë sezon, gabimet e tyre në Serinë A kanë qenë të shumta dhe pavarësisht sistemit “VAR”, futbolli italian vazhdon të prodhojë polemika të shumta.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here