Dy muajt e fundit para arrestimit të tij për mashtrim dhe evazion fiskal, biznesmeni famëkeq sllovak Marian Kocner u dërgoi bashkëpunëtorëve një seri mesazhesh mbi hetimet e policisë dhe çështjet gjyqësore për pronat e tij dhe bizneset në media. Kocner njihej kudo për lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe më vonë do të akuzohej për vrasjen makabre të gazetarit investigativ Jan Kuciak, i cili po investigonte mbi marrëdhëniet e tij të biznesit. Sipas teksteve të dala në media nga komunikimet e tij, Kocner diskutonte “menaxhimin” e problemeve të tij me anë të kontakteve në polici dhe në prokurori. Ndërsa të tjera tekste i referoheshin “këshillimit” me politikanë të qeverisë. Për shumë sllovakë ato tekste ishin një kujtesë e korrupsionit të thellë në vendin që ende nuk ka marrë vetën nga vrasja e gazetarit 27-vjeçar Kuciak dhe të dashurës së tij në kryeqytetin Bratislava në shkurt 2018. Tekstet janë prova që Kocner, i cili ishte arrestuar para se mbi të ngriheshin akuzat e urdhërimit të vrasjes së Kuciak, ashtu si disa të tjerë ishte mbi ligjin. “Sllovakia është një shtet i mafias ku njerëz si Kocner diktojnë vendimet më të rëndësishme në vend,” thonë drejtuesit e lëvizjes “Për një Sllovaki Dinjitoze”. “Një sistem i tillë nuk mund të krijohet brenda ditës. Ai është krijuar nga qeveria 12 vjeçare e ish-kryeministrit Robert Fico dhe veglave të tij, një qeveri pa respekt për ligjin apo për parimet bazë të demokracisë”, thonë ata.
Pas vrasjes së Kuciak, ky grup organizoi demonstrata masive që solën dorëheqjen e Fico si kryeministër, i cili është ende kryetar i partisë në pushtet SMER-SD.Në fillim të këtij viti votuesit zgjodhën si presidente avokaten anti-korrupsion Zuzana Caputova në një refuzim të qartë të biznesit të mëparshëm të pushtetarëve.“Pas vrasjes së Jan Kuciak ka ndryshuar diçka thelbësore. Tronditja ishte aq e madhe sa e tundi sistemin,” thotë Matus Kostolny, kryeredaktor i të përditshmes ‘Dennik N’. Por ekspertët e transparencës thonë se Sllovakia ka ende një rrugë të gjatë për të bërë në ekspozimin e lidhjeve të politikës me oligarkët dhe krimin e organizuar. Grupi anti-korrupsion i Këshillit të Evropës, GRECO, nxiti javën e kaluar Sllovakinë të bëjë më shumë në luftën kundër ryshfetit mes zyrtarëve të lartë dhe mes policisë. Por zemërimi publik për korrupsionin ka qenë duke zier prej një dekade. Protestuesit kanë dalë në rrugë prej vitit 2012 pas publikimit të përgjimeve ku politikanët dhe oligarkët diskutonin ryshfete në këmbim të favoreve të biznesit. Hetimet e këtyre rasteve vazhdojnë dhe ende asnjë zyrtar nuk është dënuar. Në 2016 demonstruesit kërkuan hetime për lidhjet e errëta të Ladislav Basternak, biznesmen i lidhur me Kocner dhe disa politikanëve të lartë të SMER-SD duke përfshirë dhe kryeministrin Fico. Ndërkohë Fico jeton në një apartament luksi të ndërtuar nga Basternak, i cili u dënua vitin e kaluar me pesë vjet burg për miliona dollarë evazion fiskal, ndërsa Kocner zotëron apartamentin ngjitur me Fico, deri para se ta shiste në shtator.Andi Lamko/BalkanInsight








































