Në një prononcim për mediat pas takimit me raportuesit e KiE-s, kryedemokrati Lulzim Basha e vuri sërish theksin tek mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për daljen nga kriza politike.
Basha tha se është koha për të marrë vendimin e duhur për vendin duke vendosur interesat e vendit para atyre politike. Ai i bëri thirrje Partisë Socialiste të reflektojë sa nuk është vonë.
Pas thirrjes së Bashës vjen reagimi i parë nga mazhoranca. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i përgjigjet Bashës duke hedhur poshtë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
“Qeveria dhe shumica jonë e votuar për të qeverisur 4 vjet, kanë shumë detyra e punë për të realizuar deri në përfundim të mandatit, në respekt të kontratës me shqiptarët. Ata që e grisën kontratën me zgjedhësit e tyre, nuk kanë asnjë të drejtë po as edhe një shans gjithashtu, të grisin kontratën tonë”, shkruan Spiropali në rrjete sociale, ndërsa thekson se “po kryhen përgatiteje për dy sezone të reja betejash në çdo drejtim dhe për një Shqipëri më të mirë në çdo fushë të jetës. Nga ana tjetër, sa më shumë Lulzim Basha dhe shumica e tij imagjinare refuzojnë dialogun për reformën zgjedhore, aq më pak kohë kemi ne për të humbur me ta. Brenda dhjetorit do te votojme Reformën Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe do të vazhdojmë më tej me pikat kyçe të procesit të integrimit europian, duke përdorur si hartë drejtuese rezolutën e Bundestagut, si edhe të gjitha pikat e tjera të programit tonë për Shqipërinë që duam”, vijon ministrja.










































