Google search engine
Home Bota Rajoni Zaev kërcënon BE me ngrirje të Marrëveshjes së Prespës: Ishte e lidhur...

Zaev kërcënon BE me ngrirje të Marrëveshjes së Prespës: Ishte e lidhur me integrimin

0
353

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ka shtuar dje dozën e zemërimit me BE për refuzimin e datës së negociatave, duke thënë në një intervistë për mediat greke se një pjesë e Marrëveshjes së Prespës do të ngrijë, pasi nuk mund të zbatohet pa kontekstin e integrimit. Zaev tha se mos hapja e negociatave ndikon negativisht në marrëveshjen e Prespës. “Ekziston një lidhje mes zbatimit të Marrëveshjes dhe hapjes dhe mbylljes së negociatave. Kjo lidhje ekziston sepse miqtë tanë Grekë kanë pranuar që ne mund ta bëjmë atë për shkak të së ardhmes që Maqedonia Veriore ka me Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst Marrëveshja e Prespës nuk mund të zbatohet. Një pjesë e saj do të ngrijë sepse nuk mund të zbatohet. Ne do të përpiqemi të zbatojmë disa dispozita, por të dyja janë të ndërlidhura sepse procesi i shkëmbimit të fondeve do të thotë që ne do t’i dorëzojmë sovranitetin tonë kombëtar Bashkimit Evropian”, tha Zoran Zaev ndër të tjera. Mos-hapja e negociatave ka detyruar qeverinë e tij të thërrasë zgjedhje të parakohshme në prill.

BE inkurajon respektimin e marrëveshjes

Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiç, e pyetur dje nga mediat greke për Marrëveshjen e Prespës, tha se BE është e bindur se Shkupi dhe Athina do ta respektojnë atë. Pas deklaratave të kryeministrit Zaev se Marrëveshja e Prespës është në rrezik pas vetos së Francës për nisjen e negociatave, Koçiançiç është pyetur nëse BE “frikësohet” për Marrëveshjen e Prespës. “Nuk dëshiron të komentojë deklarata të huaja, por BE e ka mbështetur fuqishëm Marrëveshjen e Prespës, e cila paraqet sukses të madh dhe shembull jo vetëm për rajonin, por edhe për BE dhe më gjerë. E kemi përshëndetur guximin dhe vendosmërinë e dy palëve të përfshira dhe besojmë se autoritetet do të vazhdojnë të angazhohen ta zbatojnë në frymë të besimit”, tha Kocijaçiç. Por refuzimi i datës së hapjes së negociatave, çka ishte premtuar qartë nga BE për Maqedoninë e Veriut, ka shokuar politikën vendase që deri tani nuk ka pranuar asnjë alternativë tjetër justifikimi nga blloku.

Pendarovski: Nuk ka alternativë tjetër përveç BE

Në linjë të ngjashme me kryeministrin, ka folur dje dhe presidenti maqedonas Stevo Pendarovski, i cili përsëriti në një intervistë për Al Jasira Balkans, se vendi nuk do të kënaqet me premtime të opsioneve të tjera si partneritete strategjike ose speciale. “Alternativa ka sa të doni, opsione sa të doni, megjithatë më të përmbajtura, më efikase për ne në këtë lokacion gjeografik të Ballkanit me strukturë të tillë heterogjene të popullatës nuk ekziston. Atë e tregojnë të gjitha analizat objektive dhe reale. Është përmendur se ne jemi pjesë e fqinjësisë së mirë. Fqinjësia e mirë në lidhje me BE-në është kategori tjetër, tërësisht status tjetër i shteteve, ajo lidhje. Ne nuk jemi fqinj, ne jemi pjesë strukturore dhe gjeografike, por edhe pjesë institucionale e Evropës. A do të jemi anëtare dhe kur do të jemi varet nga plotësimi i kritereve. Megjithatë ne nuk jemi fqinj, tërë Ballkani Perëndimor nuk është trajtuar si fqinj i BE-së, por si pjesë e BE-së, përkatësisht pjesë e cila një ditë do të bëhet pjesë edhe e Evropës institucionale”, deklaroi Pendarovski. E papranueshme, thotë ai, është edhe ideja për partneritet special të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor. “Kjo sërish nuk është anëtarësim. Ne nuk mund të mashtrohemi me partneritete të veçanta. Ne na duhet Evropë për shkak të vlerave, nuk na duhet vetëm për shkak të tregut. Ne na duhen parimet sipas të cilave rregullohen shoqëritë e suksesshme t’i miratojmë sikur tonat që të prosperojmë. Me këto forma alternative të miratimit ne nuk mund të prosperojmë”, vlerëson shefi i shtetit.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here