Lojtarët e përfaqësueses në tërësinë e tyre po kalojnë një moment të mirë, me përjashtim të mesfushorit Amir Abrashi që pësoi një dëmtim dhe klubi i Frejburgut nuk ka dalë ende me një qëndrim se sa do të mungojë “pitbulli” i kombëtares kuqezi. Nga ana tjetër, një lajm jo i mirë erdhi dje nga një tjetër futbollist kuqezi. bëhet fjalë për sulmuesin Armando Sadiku, i cili ka gjasa të mos jetë edhe në grumbullimin e nëntorit, në kuadër të ndeshjeve të fundit në grupin H, ato ndaj Andorrës dhe Francës. Madje mësohet se planet e trajnerit të përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, mund të ndryshojnë përsëri sa i përket Armando Sadikut. Sulmuesi dukej se ishte kthyer përsëri në formën më të mirë në kohët e fundit duke luajtur e shënuar me rregullsi për klubin e Malagës. Por plani për ta kthyer në radhët e kuqezinjve në grumbullimin nëntorit mund të ndeshet me një pengesë. Këtë herë nuk bëhet fjalë për problemet familjare të futbollistit, pro për disa shqetësime që e kanë shoqëruar pas sfidës së fundit ndaj Real Oviedo. Lojtari po bënte një sprint kur ndjeu një tërheqje në pjesën e pasme të kofshës së majtë dhe lajmëroi menjëherë stafin mjekësor duke kërkuar ndërrim. Klubi bëri të ditur se ai do t’i nënshtrohet disa vizitave më të specializuara gjatë ditës së sotme dhe nga kjo do të varet edhe paraqitja e tij në dy takimet e radhës, kundër Ponferradina dhe Fuenlabrada. Nëse Sadiku nuk do të jetë në gjendje që të luajë këto dy sfida, atëherë duket e pamundur që ai të jetë i pranishëm dhe në formë për dy takimet e përfaqësueses ndaj Andorrës dhe Francës. Ndaj vizita do të përcaktojë edhe nëse ai do të jetë apo jo në listën e trajnerit Reja për të dy takimet. Sidoqoftë, me interes është paraqitja në vijimësi e të gjithë lojtarëve, pasi ekipi ynë përfaqësues bazohet kryesisht në lojën në grup dhe rëndësi merr grupi para individëve.
Reja ndjek kuqezinjtë në Itali: Janë në formë të mirë
Ndërkohë, nuk është vetëm Sadiku që merr vëmendje, pasi në Itali luajnë një numër i madh futbollistësh të përfaqësueses dhe që kanë peshë në grupin kuqezi. Natyrisht, elementë si Hysaj, Dermaku, Ismaili, Kumbulla, Veseli, Strakosha e Berisha, Ndoji, Gjimshiti, Memushaj etj, janë baza e ekipit kombëtar dhe trajneri Reja e di mirë këtë. Por padyshim që këta futbollistë kërkojnë t’i ndjekësh nga afër për të parë situatën ku ndodhen, formën sportive, kapacitetet e përshtatjes me grupin dhe padyshim cilësitë e tyre në funksion të ndeshjeve të radhës. Dhe së fundmi, trajneri i përfaqësueses së Shqipërisë, Edi Reja, ka folur për mediat italiane për ndeshjen e ditës së nesërme mes Napolit dhe Atalantës. Tekniku i Kombëtares ka pasur fatin t’i drejtojë të dyja klubet në të kaluarën, ndërsa është shprehur se për nga pozitat e Atalantës në tabelën e klasifikimit, atëherë ky duel mund të përcaktohet edhe si ndeshje titulli. Sakaq, Reja në prononcimin e tij ka theksuar se mendon se Hysaj kërkon të qëndrojë te Napoli. “Duke parë klasifikimin është një ndeshje titulli, por jemi në fillim të kampionatit dhe janë për t’u zhvilluar akoma takime deçizive. Napoli ka disa probleme në fazën defensive për shkak të dëmtimeve të Malkuit, Hysaj, Manolas apo Gulam. Nëse zikaltrit janë të vendosur mirë, atëherë nuk të lejojnë të marrësh frymë. Napoli ka lojtarë të shpejtë dhe shumë e rëndësishme do të jetë të mos i japin pika referimi Atalantës. Hysaj? Unë mendoj se ai kërkon të qëndrojë të Napoli. Dhe të kthehet në të rëndësishëm, pasi edhe te Napoli turnoveri është i detyrueshëm. Është një skuadër e madhe që luan në çdo tre ditë. Nëse nuk ndryshon lojtarët nga gara në garë, të luash çdo ndeshje në atë intensitet që duhet për të fituar takimet, atëherë djemtë nuk mund t’ia dalin deri në fund të vitit. Ndër të tjera, në Kombëtare, Hysaj është duke bërë maksimumin”, u shpreh Reja.
Adriatik BALLA








































