Reforma në drejtësi është një nga prioritetet kryesore në vend. SHBA vijon të jetë një nga mbështetjet kryesore në sistemin e drejtësisë, ku dhe po monitoron nga afër çdo seancë dëgjimore që po zhvillohet në kuadër të vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili është organi kryesor për vlerësimin e gjyqtarëve, përmes një njoftimi bëri me dije se në fillim të muajit nëntor do të zhvillohen tre seanca dëgjimore. Në datën 2 nëntor, do të dalë para KPK për t’u vlerësuar në tre kriteret këshilltarja e Gjykatës së Lartë Elona Kana. Trupi gjykues për këtë të fundit do të jenë Olsi Komici, Xhensila Pine dhe Suela Zhegu. Elona Kana ka një karrierë të gjatë si juriste në sistemin gjyqësor. Ajo ka punuar si këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë fillimisht në vitet 2004-2006, për t’u shkëputur për 6 vjet –kohë në të cilën ajo drejtoi Departamentin Juridik dhe të Licencave në Këshillin Kombëtar të Radio-Televizionit, KKRT. Në vitin 2012, Kana u rikthye në Gjykatën e Lartë si këshilltare, detyrë të cilën vazhdon ta ushtrojë edhe aktualisht. Ndërsa në datën 3 nëntor para KPK do të dalë gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Korçë, Brunilda Malo (Orhani). KPK ka vendosur që trupa gjykuese të jetë Xhensila Pine, Roland Ilia dhe Valbona Sanxhaktari. Brunilda Malo e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1995 si gjyqtare në Kolonjë. Në vitin 2003, ajo është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Korçës dhe vazhdon ta kryejë këtë funksion prej 16 vitesh. Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, sëbashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Në datën 4 nëntor, do të jetë drejtuesja e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës Anita Jella, ajo e cila do të dalë para KPK për t’u vlerësuar për tre kriteret. Trupa gjykuese për Anita Jella do jenë Xhensila Pine, Etleda Çiftja dhe Valbona Sanxhaktari. Anita Jella ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1999 dhe Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002. Ajo e ka filluar karrierën si prokurore në Elbasan në vitet 2001-2003 dhe më pas ka punuar si drejtuese e Prokurorisë së Librazhdit deri në vitin 2007. Pas rikthimit për një vit në Prokurorinë e Elbasanit, Jella u emërua prokurore në Prokurorinë e Durrësit, ku e ushtron funksionin prej 10 vitesh. Më 9 maj 2018, Anita Jella u caktua përkohësisht drejtuese e Prokurorisë së Durrësit.









































