Gjykata Kushtetuese ka rikthyer përplasjet mes presidentit Ilir Meta dhe Kuvendit. Komisioni parlamentar i Ligjeve ka zhvilluar dje një seancë dëgjimore me kandidatët për dy vende vakante në Kushtetuese. Por edhe pse pritej që raporti t’i kalonte seancës plenare për votim, deputetët kanë vendosur të marrin kohë. Komisioni javën që vjen do të mblidhet sërish për të diskutuar për emrat në fjalë, çka do të thotë se votimi mund të shtyhet për në datën 14 nëntor. Edhe pse në Konferencën e Kryetarëve u deklarua se votimi duhet të bëhet në seancën më të afërt të mundshme, Komisioni i Ligjeve ka vendosur të shtyjë në limite përzgjedhjen e dy anëtarëve të rinj. Por kjo do të thotë se tani do të kemi një konflikt të fortë me presidentin Ilir Meta. Ky i fundit pretendon se po shkelet neni 179 i Kushtetutës, i cili përcakton se anëtari i parë për tu zëvendësuar në Kushtetuese zgjidhet nga presidenti, i dyti nga Parlamenti dhe i treti nga Gjykata e Lartë. Në këtë logjikë, presidenti e ka zgjedhur anëtarin e parë, ndërsa tani sipas tij i takon Kuvendit të zgjedhë emrin e dytë. Por duke qenë se mungojnë kandidatët e Gjykatës së Lartë, mazhoranca pretendon se nuk ka vlerë të ndiqet radha dhe për këtë arsye pritet që më 14 nëntor të votohet për dy vendet vakante. Çështja është si do të veprojë Meta? Afati përfundimtar i Metës për të zgjedhur anëtarin e dytë është 8 nëntori, por sipas burimeve presidenti do e refuzojë përzgjedhjen e emrit duke e kthyer mbrapsht vakancën, me idenë se nuk pranon të shkelë Kushtetutën. Por kjo do të thotë se KED do e zgjedhë vetë anëtarin. Sipas ligjit, nëse presidenti refuzon, zgjidhet emri i parë, që në këtë rast është Arta Vorpsi. Pra me strategjinë e saj me afatet duket se mazhoranca i lidh duart presidentit, i cili është midis dy zjarreve. Nëse zgjedh emrin e dytë pa zgjedhur Parlamenti, mund të quhet shkelje Kushtetuese, nëse jo atëherë do ja marrë të drejtën KED. Megjithatë pritet të ketë një betejë të fortë juridike në ditët në vijim.
Seanca dëgjimore
Ditën e djeshme për vakancat e krijuara në Gjykatën Kushtetuese u zhvillua seanca dëgjimore me tre kandidatet që janë propozuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji prezantuan para deputetëve të komisionit vizionin e tyre për Gjykatën Kushtetuese, e cila prej 2 vitesh është jofunksionale. Kandidatja e parë, Arta Vorpsi u shpreh se ka një përvojë të gjatë me çështjet kushtetuese, që sipas saj do e ndihmojnë në vijim për të çuar para të drejtën kushtetuese. Vorpsi deklaroi se nuk ka qenë asnjëherë e angazhuar politikisht. “Kam 23 vite eksperiencë dhe përvoja e gjatë e imja do më ndihmojë në punën time për të çuar më tej të drejtën kushtetuese. Nuk kam qenë asnjëherë e angazhuar në ndonjë parti politike apo grupim politik”, tha Vorpsi. Kandidatja e dyte në seance dëgjimore, Elsa Toska u shpreh se eksperienca e saj është e fokusuar tek e drejta kushtetuese. “Në vizionin tim Gjykata Kushtetuese duhet të orientohet tek respektimi i të drejtave të njeriut, në forcimin e legjitimitetit në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Duhet të bëhet neutralizuese e debateve kushtetuese politike. Objektivat sipas meje, që duhet të ketë kjo gjykatë, do jenë në krijimin e një jurisprudence të re post-reformë. Ligji për Gjykatën Kushtetuese u ndryshua gjatë reformës në drejtësi, është ndër më të mirët dhe besoj se do i përgjigjet sfidave për të ardhmen në çështjen e të drejtave të njeriut dhe çështjeve kushtetuese”, tha ajo. Ndërkohë, kandidatja e tretë, Fiona Papajorgji u shpreh e bindur se i plotëson kushtet për të qenë pjesë e Kushtetueses, ndërsa shtoi se ky institucion duhet të kalojë në stadin e forcimit të parimeve të vlerave kushtetuese. “Mendoj se plotësoj kushtet për të qenë anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Ka ardhur koha që Kushtetuesja të kalojë në stadin e forcimit të parimeve të vlerave kushtetuese”, tha Papajorgji.
Elisjeda Kiko








































