Kreu i Kadastrës, Artan Lame ka bërë ditën e djeshme me dije se në 6 muajt e parë të Kadastrës së re, janë kryer 30 audite, kontrolle dhe verifikime nëpër të gjitha drejtoritë vendore dhe janë marrë të paktën 120 masa, duke përfshirë dhe largimet nga detyra. Gjatë një prononcimi për mediat, drejtori Lame u shpreh se janë marrë 7500 ankesa nga qytetarët, ku në fokus ka qenë grabitja e të drejtës së pronës. “Janë trajtuar në këta muaj rreth 7500 ankesa nga publiku dhe nga institucione të ndryshme, ku pjesa dërmuese ka sfond grabitjen e të drejtës së pronës. Do të mjaftonin këto shifra për të dëshmuar se sa i thellë është problemi, se sa e thellë ka qenë reforma dhe se sa e madhe është pritshmëria e publikut ndaj këtij institucioni të ri”, tha Lame. Kreu i Kadastrës, ndër të tjera, tha se harta e abuzimeve me pronat, përfshin të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, ndërsa shton se është e kuptueshme që këto abuzime dendësohen në zonat me interes ekonomik. “Pikërisht në zonat ku vendi dhe ekonomia duhet të tregohen më të hapura ndaj investimeve, zhvillimeve dhe iniciativës së lirë. Por, pikërisht në këto zona, problematikat e trashëguara të pronave bllokojnë shumicën e investimeve. Do të përmendja këtu zonat bregdetare përgjatë gjithë Jonit dhe Adriatikut, apo zona të tjera me fluks ekonomik si ato përreth qyteteve të mëdha dhe veçanërisht Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Kronikat e mediave në gjithë këto vite kanë trajtuar herë pas here problematika të tilla, por përgjatë këtij viti ky fluks është shtuar”, deklaroi Lame, ndërsa thekson se veçoi këtë çështje, për dy arsye. “E para tani Shqipëria kjo është, bregdeti i saj u nda dhe u stërnda dhe konfliktet kanë filluar të ngrenë krye ngado; dhe e dyta, gjatë këtij viti ndjeshmëria dhe reagimi i Qeverisë dhe e Agjencisë së re të Kadastrës, duke vënë dorën në plagë, është rritur dukshëm. Përpara disa kohësh, unë paralajmërova se problematika si ato të Vlorës do të bëhen publike edhe në zona të tjera. Do të ndeshen në Sarandë, ku i gjithë bregdeti i qytetit, i gjithë amfiteatri i kodrave të Sarandës është ndarë dhe rindarë e mbindarë në më tepër se dy-tri herë, përfshi dhe zona që praktikisht janë në det”, sqaroi më tej Lame, ndërsa paralajmëroi se do të denoncohen raste, apo punonjës të cilët në vite janë përzier në këto afera.








































