Futën 1.6 tonë kokainë në Danimarkë dhe e shpërndanë në të gjithë Europën, 4 shkodranëve u sekuestrohen 3 milionë euro pasuri

0
304

Tre milionë euro pasuri që buronin nga aktiviteti kriminal i katër personave, janë sekuestruar nga policia në qytetin e Shkodrës. Erli Pelingu, Armando Docaj dhe Dëfrim Eçi, u arrestuan më 26 qershor të këtij viti gjatë një operacioni të Europol në Danimarkë. Paralelisht, policia shqiptare arrestoi në Shkodër Jetmir Kastratin që dyshohet se është kreu i këtij grupi. Në Danimarkë ai përdorte pasaportë kosovare me emrin Sokol Krasniqi. Një pjesë të parave të përfituara, ata e kanë investuar në Shqipëri, kryesisht në vende bregdetare dhe qytete të mëdha. Mësohet se është sekuestruar një pulari në Shkodër me vlerë investimi mbi 1,5 milionë euro, 10 apartamente banimi në plazhin e Velipojës, 1 apartament banimi në Shkodër dhe 14 automjete prodhim i viteve të fundit. Të gjitha këto pasuri ishin të regjistruara në emër të familjarëve të tyre dhe personave me të cilët kishin lidhje miqësore. Aktivitetin e tyre ata e kishin shtrirë në Danimarkë, Gjermani, Belgjikë, Slloveni e Suedi. Ata akuzohen se kanë trafikuar në total 1.650 kg kokainë dhe heroinë në këto vende të Europës. Më 26 qershor, gjatë një aksioni të forcave të Europolit të koduar “Goldfinger”, këtij grupi kriminal iu sekuestruan në Danimarkë 200 mijë euro, 7 automjete, 7 banesa dhe 1 biznes. Interpoli ka arritur të provojë se, anëtarët e grupit kriminal kanë arritur të trafikojnë nga vendet e Amerikës Latine rreth 1.6 ton kokainë. Kastrati, ka rezultuar nga hetimet e prokurorisë së Danimarkës se, ka pasur aktivitet kriminal edhe në Gjermani, Belgjikë, Holandë, Suedi, Slloveni dhe Shqipëri. Gjatë operacionit “Goldfinger” të zhvilluar nga Policia e Shtetit ka rezultuar se Jetmir Kastrati ka investuar nëpërmjet kunatit të tij Astrit Beqiri 1.5 milionë euro pasuri për ngritjen e një pularie në periferi të qytetit të Shkodrës. Nga ana tjetër drejtoria për pastrimin e parave në Policinë e Shtetit ka kërkuar informacion nga bankat e nivelit të dytë si edhe në Hipotekë për zbuluar të tjera pasuari të paluajtshme që dyshohet se pjesëtarët e grupit kriminal mund të kenë fshehur në Shqipëri në emër të të tretëve. Gjithashtu kujtojmë se më 26 qershor, policia sekuestroi 200 mijë euro, 10 milionë lekë, 7 automjete, 7 banesa dhe 1 biznes, në operacionin “Goldfinger”, koordinuar nga Europol-i dhe i drejtuar nga autoritetet e hetimit në shtetet ky grupi kishte shtrirë aktivitetin kriminal.

Hetimet

Me thellimin e hetimeve ndaj të arrestuarve, është arritur të provohet nga prokuroria, se shqiptarët, përmes të afërmve të tyre në atdhe, kishin blerë prona të shumta duke i regjistruar në emër të familjarëve, disa prej të cilave ju sekuestruan në vijim të aksionit, ditën e djeshme. Prokuroria për Krime të Rënda po vijon hetimet për zbardhjen e gjithë skemës së këtij grupi kriminal, personat e tjerë të përfshirë, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të regjistruara në Shqipëri në emër të tyre, familjarëve apo miqve, si dhe llogari bankare të përfituara nga aktiviteti kriminal. Sipas hetimeve, grupi i drejtuar nga Jetmir Kastrati kishte si prioritet vetëm trafikimin e lëndëve narkotike kokaine, ku me këtë mall furnizohej në Kolumbi dhe Ekuador, duke e futur më pas në vende të Europës, e shitur deri në Danimarkë dhe Suedi, me anëtarë serbë, holandeze, shqiptarë, suedezë dhe danezë. Jetmir Kastrati rezulton i dënuar në Norvegji në vitin 2012 për veprën penale të “Pastrimit të parave”, e për rrjedhojë nga frika e identifikimit të pronave në emrin e tij, ka bashkëpunuar me kunatin e tij Astrit Beqiri, duke i kaluar pronat në emër të tij. Jetmir Kastrati dhe 3 pjesëtarët e bandës akuzohen për veprat penale: “Grupi i strukturuar kriminal ”, “Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”. Pasuritë e sekuestruara tashmë administrohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave.

Elvis MYRTA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here