Google search engine
Home Sport Partizani me petk kampioni, mposht Skënderbeun dhe merr kreun e Superiores

Partizani me petk kampioni, mposht Skënderbeun dhe merr kreun e Superiores

0
381

Partizani mori dje kryesimin e Superiores, pasi mundi në kryeqytet Skënderbeun me rezultatin 3-1. Ishte një ndeshje e luftuar nga të dy ekipet, por me “demat e kuq” që kanë ardhur në formë dhe janë në rritje korçarët nuk kishin asnjë shans të dilnin me pikë nga “Selman Stërmasi”. Në këto kushte trepikëshi i djeshëm e çon skuadrën e Lerdës në vend të parë me 17 pikë, një më shumë se Bylisi që zbret në vend të dytë. Sa i përket takimit, Partizani e nisi vrullshëm me një sulm në krahun e djathtë, por dyluftimi mes Bardhit dhe Ditës, solli vetëm një goditje nga këndi, nga e cila erdhi edhe goli i avantazhit për vendasit, ku Belica kërceu më shumë se të gjithë dhe devijoi topin në rrjetë. Reagimi i korçarëve ishte i vakët dhe në minutën e 19-të Partizani gjeti edhe golin e dytë, këtë herë me mesfushorin Bruno Telushi. “Ushtari” i kuq mori përsipër ekzekutimin e një goditjeje dënimi dhe duke shfrytëzuar një çarje apo rreshtim të gabuar të mbrojtjes korçare, dërgoi topin për herë të dytë në rrjetë. Goli i dytë vuri në qetësi Partizanin, ndërsa Skënderbeu filloi të dalë më shpesh nga gjysmëfusha, të qarkullojë dendur topin dhe të tentojë rihapjen e ndeshjes, gjë që e bëri vetëm në minutën e fundit të pjesës së parë, me golin e shënuar nga Nazmi Gripshi. Pjesa e dytë nisi e luftuar nga të dy skuadrat, por ishte sulmuesi shkodran Erald Çinari, që në minutën e 60-të mori bukur topin në zonë dhe me një qetësi për t’u admiruar, mposhti për herë të tretë portierin Koliçi. Pas këtij goli, trajneri Franco Lerda filloi të mendojë për takimin e të hënës ndaj Kukësit, ndërsa edhe kolegu i tij Ilir Daja bëri disa ndërrime dhe në minutat e fundit korçarët vunë 2-3 herë në provë Alban Hoxhën, por pa arritur të rihapin takimin. Fiton kështu Partizani, që pas fazës së parë, udhëheq me 17 pikë dhe tregon se mbetet kampioni në fuqi dhe skuadra për t’u mundur edhe këtë sezon, e ndjekur nga Bylisi me 16 pikë dhe Vllaznia e Teuta me 15 pikë.

Lerda: Më gëzon fitorja dhe vendi i parë

Trajneri i Partizanit, Franko Lerda, u shpreh i gëzuar pas ndeshjes me fitoren dhe vendin e parë, gjë që e tregojnë edhe fjalët e tij dhënë për “Supesport”. “Jam i kënaqur sepse çunat bënë një ndeshje të madhe dhe ishim shumë të përqendruar. Jam i kënaqur për vendin e parë sepse ishim agresiv dhe më vjen mirë për djemtë. Në këtë kampionat të ekuilibruar, çdo kundërshtar është i vështirë. Nuk po mendojmë për klasifikimin por ndeshjen e radhës sepse kemi një ndeshje të vështirë kundër Kukësit dhe kemi një ditë më pak për të rikuperuar. Po i marrim ndeshjet një nga një. Ishim mirë dhe kemi përmirësim. Duhet të jemi më egoistë dhe ndeshje pas ndeshje jemi në superioritet numerik. Kemi përmirësim në mbajtjen e topit. Kemi pësuar kur nuk e kishim topin nën kontrollor goli i tretë ishte shumë i rëndësishëm për ne. Futbollistët i aktivizoj në bazë të formës dhe ata që më bindin në fushën e lojës. Filozofia ime është që të vendos lojtarët më të mirë dhe në pozicionet e tyre ideale dhe nuk ka lidhje kundërshtari”, u shpreh Lerda

Daja: Skënderbeu me lojtarë të rinj, s’e evituam dot humbjen

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, nuk e fshehu zhgënjimin e tij për humbjen e Skënderbeut ndaj Partizanit, por kujtoi se skuadra e tij ka elementë të rinj që duan kohë të piqen, teksa mbrojti lojtarët nga kritikat. “Nuk dua të justifikohem por Taipi ishte i dëmtuar. Ishim përgatitur me Taipin dhe bënë prezantim dinjitoz Esien dhe Elezi. Dalja e Bregut që ishte me temperaturë dhe për aq minuta sa luajti sakrifikoi, por mungesa e Krasniqit apo Muzakës, iu shtua edhe Taipi. Kemi dy 18-vjeçarë dhe dy 19-vjeçarë. Me një ekip si Partizani që si në formacion, ka edhe stolin e vështirësuam punën me dy goditje standarde. Kur u munduam të kontrollojmë erdhi edhe ai gabim individual dhe aty thuajse u mbyll loja”, tha fillimisht trajneri i Skënderbeut, Daja. Më pas ai foli për pozicionimin e lojtarëve dhe problemet me repartet që nuk u lidhën si duhet, duke përmendur emra konkretë. “Në shpërndarjen e lojtarëve, reparti i mbrojtjes është kompozuar më vonë dhe luaj me Ditën aty. Pëllumbi nuk luan në pozicionin e vet. Me dëmtimin e Turtullit u vështirësuan gjërat”, nënvizoi më tej Daja.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here