Ngritja e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion pritet që të vuloset brenda këtij muaji. Dy ditë më parë zyrtari i DASH, Jorgan K. Andrews e bëri të qartë se nuk do ketë asnjë vonesë, ndërsa kreu i KLP, Gent Ibrahimi deklaroi se mund të ndiqet një skemë 8+2. “Ibrahimi tha se po shikohet mundësia që dy vendet të plotësohen me prokurorë me caktim të përkohshëm të cilën e kanë kaluar vetingun me vendim të formës së prerë dhe kanë qenë pjesë e listës së kandidatëve për prokurorë pranë Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) të cilët plotësojnë kushtet ligjore pas vlerësimit paraprak, listë e merituar me vendim nr. 57 me datë 5 prill 2019”, njoftoi dje KLP. Nëse bëhet një kërkim në faqen e KLP, vendimi i datës 5 prill ka të bëjë me miratimin e 25 kandidatëve të SPAK. Pra bëhet fjalë për listën fillestare. Por duke qenë se disa emra kanë ngelur në veting, kjo listë aktualisht ka 22 emra. 15 prej tyre u kualifikuan si finalistë dhe ata do jenë anëtarë të SPAK nëse e kalojnë vetingun. 8 emra e kanë kaluar me sukses dhe ata janë: Altin Dumani; Arben Kraja; Doloreza Musabelliu; Klodian Braho; Edvin Kondili; Ened Nokuçi; Elida Kaçkini; Behar Dibra. Pra këta emra automatikisht janë pjesë e SPAK. Por KLP ka vendosur që të marrë dhe dy emra nga 7 emrat e tjerë që mbeten jashtë listës me 15 emra, të cilat janë: Besim Hajdarmataj; Donika Prela; Dorina Bejko; Dritan Prençi; Enkeleda Xhengo; Maksim Sota; Vladimir Mara. Nga kjo listë janë 4 emra që e kanë kaluar me sukses vetingun në shkallën e parë, që janë: Hajdarmataj, Prela, Prençi dhe Mara. Por për Hajdarmatajn ende nuk është zbardhur vendimi dhe nuk dihet nëse do ketë ankimim në Apel. Prela nuk ka kënaqur Komisionerin Publik dhe çështja e saj është në KPA. Ndërsa Ibrahimi në deklaratën e tij është shprehur se do zgjidhen 2 emra që kanë kaluar vetingun me formë të prerë, pra dhe nga Apeli. Të vetmit që e kanë kaluar në këtë mënyrë janë Vladimir Mara dhe Dritan Prençi. Kjo do të thotë se ata janë të vetmit që plotësojnë kushtet dhe pritet që të bashkohen me 8 emrat e tjerë. Pritet që KLP të mblidhet dhe të marrë vendimin për skemën 8+2 dhe më pas të bëhet emërimi dhe komandimi i prokurorëve.
Parashikimet në Kushtetutë
Kushtetuta në nenin 148/dh e ka përcaktuar qartë se Prokuroria e Posaçme nuk mund të nisë punë me më pak se 10 prokurorë. Për këtë arsye KLP po përdor këtë manovër, duke emëruar 8 emra dhe duke komanduar 2 të tjerë. “Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën para gjykatave të posaçme të parashikuara në nenin 135, pika 2, të Kushtetutës, si dhe para Gjykatës së Lartë. Prokuroria e Posaçme përbëhet nga të paktën 10 prokurorë, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. Ligji vendos kritere të tjera për përzgjedhjen si dhe për procedurën transparente dhe
publike të emërimit. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet nga radhët e prokurorëve
të kësaj prokurorie me shumicën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje, sipas ligjit. Prokurori i Prokurorisë së Posaçme shkarkohet për kryerjen e një krimi ose për kryerjen e një shkeljeje të rëndë disiplinore me dy të tretat e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, thuhet në Kushtetutë. Më tej bëhet e ditur se kandidati për prokuror, oficer i hetimit, personel administrativ i Prokurorisë së Posaçme, Njësisë së Posaçme Hetimore, si dhe familjarët e afërm të tij, para emërimit, i nënshtrohen verifikimit të pasurisë dhe të figurës, japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve personale, sipas ligjit.








































