Qeveria shqiptare ka vendosur të kalojë në skaner noterët, pasi ka ndryshuar masat disiplinore. Tashmë në Fletoren Zyrtare është publikuar Kodi i Etikës për Noterët me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë, ku përcaktohet qartë natyra e shkeljeve, që do t’i bëjnë më pas subjekt të masave disiplinore. Sipas përcaktimeve të reja, si shkelje të rënda që do të ndëshkohen do jenë konfidencialiteti dhe mos-regjistrimi i akteve. Për këto shkelje, qeveria shqiptare ka parashikuar sanksionet me pezullim të përkohshëm nga ushtrimi i funksionit, gjobë, si dhe paralajmërim me shkrim. “Parashikohen si shkelje të rënda, të cilat sanksionohen me pezullim të përkohshëm nga ushtrimi i funksionit, gjobë, paralajmërim me shkrim, shkeljet e mëposhtme: Ushtrimi i veprimtarisë noteriale jashtë kompetencës territoriale/lëndore të noterit, sipas nenit 8.5 të këtij Kodi; Shkelja e konfidencialitet ose fshehtësia profesionale, sipas nenit 6 të këtij Kodi; Mosregjistrimi i akteve dhe i veprimeve noteriale, në format elektronik, nëpërmjet sistemit të krijuar nga Dhoma, sipas detyrimit të përcaktuar në ligjin “Për noterinë” dhe në nenin 8, pika 4 e këtij Kodi; Mosrespektimi për refuzim në rastet e parashikuar në nenin 9 të këtij Kodi; Mosrespektimi i parimit të konkurrencës në ushtrimin e profesionit, sipas nenit 7 të këtij Kodi”, thuhet në vendimin e qeverisë e botuar në Fletoren Zyrtare.
Shkelje të lehta
Por qeveria ka parashikuar edhe shkeljet më të lehta, të cilat do të sanksionohen me gjobë, detyrimin e kryerjes së trajnimeve në lidhje me çështjet e etikës profesionale ose detyrimin e plotësimit të trajnimeve të formimit vazhdues profesional. “Parashikohen si shkelje të lehta, të cilat sanksionohen me gjobë, detyrimin e kryerjes së trajnimeve në lidhje me çështjet e etikës profesionale ose detyrimin e plotësimit të trajnimeve të formimit vazhdues profesional, shkeljet e mëposhtme: Sjellja jo etike e një noteri kundrejt noterëve të tjerë, sipas nenit 19 të këtij Kodi; Sjellja jo etike e një noteri kundrejt institucioneve publike ose private, sipas nenit 22 të këtij Kodi; Mospërmbushja e detyrimeve për formimin vazhdues profesional, sipas përcaktimeve në ligjin “Për noterinë” dhe në nenin 14, pika 4 e këtij Kodi; Mosparaqitja në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme, pa arsye të përligjura, sipas nenit 17/4 të këtij Kodi”, thuhet në kod.
Masat disiplinore
Për të gjitha shkeljet e mësipërme, qeveria ka parashikuar edhe masat disiplinore për noterët, të cilat konsistojnë në pezullimin e ushtrimit të funksionit, gjobë, paralajmërim me shkrim apo edhe masa të tjera. “Sipas rregullave të këtij Kodi, shkeljet deontologjike të përcaktuara në këtë Kod konsiderohen të klasifikuara: të rënda ose të lehta. Masat disiplinore për shkeljet e këtij Kodi janë: pezullim nga ushtrimi i funksionit, gjobë, paralajmërim me shkrim, masa të tjera. Ky Kod rregullon dhe sanksionon shkeljet deontologjike brenda profesionit të noterit, pa cenuar sanksionet për shkelje të rregullave materiale ose rregullave të një natyre tjetër (civile, penale, administrative) të kryer nga noteri”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Elisjeda Kiko