I ftuar në emisionin ‘Soiree’ aktori i mirënjohur i humorit, Julian Deda, foli gjerë e gjatë për angazhimin e tij në politikë.
Juli ka treguar se një artist humbet shumë fansa që dikur mund ta kenë pëlqyer, në momentin që vendos t’i futet politikës. Po ashtu ai ka pohuar se njerëzit as që duan t’ia dinë nëse është aktor i mirë apo jo vetëm se merret me politikë.
“Pyes palën tjetër, pra palën e majtë, po të isha fut në PS do isha po aktor i mirë? Sepse që në momentin që u futa në PD, për palën këtej nuk isha më. Dua të sjell këtu shembullin më klasik kur Elhaida Dani mori pjesë tek një spot i kryetarit aktual largqoftë Erion Veliaj. Kur ajo fitoi ‘The Voice’, ishte një ndër zërat më të mirë dhe të talentuar, por papritur kjo u bë njeri i patalentuar’, është shprehur Juli në studio.
Mendimin e tij e ka mbështetur dhe Memli Krasniqi. “Fansat që kanë qenë militantë (s’po i quaj negativisht) të partive të tjera e humbin vlerësimin, respektin etj. dhe është diçka që secili artist e mat, veçanërisht nëse kemi të bëjmë me dikë nga fusha e muzikës”, ka vijuar ai.
