Liga e Kampioneve vijoi mbrëmë me emocionet e xhiros së tretë në fazën e grupeve, ku në tërësi pati fitore të skuadrave të mëdha dhe një hap përpara të tyre drejt kualifikimit. Kështu, në grupin E, Çamberlain që në minutën e 2-të i dha epërsinë Liverpulit në transfertën modeste me Genkun belg. Liverpuli u mjaftua në pjesën e parë me një gol, kurse në të dytën ishte sërish Çambërlain që realizoi golin e dytë në minutën e 57-të, duke e futur fitoren në “shinat” e duhura. Më pas vjen radha e Mane (75’) dhe Salah (87’), që kompletojnë pokerin, kurse belgët bëjnë vetëm një gol nderi. Në të njëjtin grup, Napoli hasi në vështirësi përballë Salzburgut austriak. Në fillim shënuan italianët me anë të Mertens në minutën e 17-të, teksa më herët (8’) austriakët humbën një penallti nga Haland. Megjithatë, në minutën e 40-të, ishte po Haland që nga pika e bardhë këtë herë nuk gabon dhe barazon shifrat 1-1. Sidoqoftë, Mertens shënoi golin e dytë në minutën e 65-të. Haland barazon sërish, 2-2, por Insinje vulos fitoren 3-2 për italianët. Në grupin E, Barcelona e nisi ndeshjen me furi ndaj Slavias së Pragës, ku Lionel Mesi gjeti brenda tri minutash golin, duke shënuar pas pasimit të saktë të Arthurit. Në fillim të pjesës së dytë çekët befasuan, me golin e shënuar në minutën e 50-të nga Boril, pas një aksioni të gjatë dhe një finalizimi ballor potent. Sidoqoftë, në ndihmë katalanasve u vjen ish-sulmuesi i Skënderbeut, Peter Olajinka, që shënon autogol në minutën e 57-të. Me shifrat 2-1 fiton Barcelona që mban kreun e grupit. Po në grupin F, Interi mundi Borusian e Dortmundit 2-0, ku Lautaro Martinez shënoi fillimisht për zikaltrit në minutën e 22-të. Ishte një pasim në limite i De Vrij dhe gjermanët menduan se Martinez ishte në pozicion jashtë loje, por një nga mbrojtësit e mbante atë në pozicion të rregullt, kështu q ë goli ishte i vlefshëm. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për italianët, ndërsa në të dytën ishin gjermanët që u përpoqën të ndryshonin diçka në lojën e tyre, por pa sukses. Kandreva vulosi fitoren me golin e dytë në minutën e 89-të. Në grupin G, Leipzigu përmbysi Zenitin e Shën Petersburgut 2-1. Rusët shënuan të parët në pjesën e parë, por gjermanët përmbysën në fillim të pjesës së dytë me dy gola, duke marrë tri pikë të vyera në rrugëtimin e tyre në këtë grup. Po në grupin G, Benfika u përball me Lionin, ku fituan portugezët me shifrat 2-1. Në grupin H, befasia e madhe ishte Çelsi, i cili mundi Ajaksin 1-0 brenda në Amsterdam, me golin e Batshuajit (holandezët humbën më parë një penallti). Po në këtë grup, Lila priti Valencian dhe barazoi në sekondat e fundit 1-1.
Adriatik BALLA