Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetim të thellë ndaj Bankers Petroleum Albania Ltd. Sipas një vendimi të publikuar nga Autoriteti i Konkurrencës, Bankers do të jetë nën hetim më të detajuar për 6 muajt e ardhshëm, lidhur me shkeljen e kontratave me kompanitë e rafinerive si dhe me pozitën e saj dominues në treg për prodhimin dhe tregtimin e naftës bruto. Këtë vendimi AK e ka marrë pas një shqyrtimi të bërë kohët e fundit bazuar në një kërkesë të Tosk Energji, kompania e cila shfrytëzon rafinerinë e Ballshit. Sipas kësaj kërkese të mbërritur në zyrat e AK-së, Tosk Energji pretendonte se Bankers ka shkelur kontratën e lidhur në fillim të vitit, duke furnizuar rafinerinë e Ballshit me një sasi më të vogël nafte nga sa ishte parashikuar në kontratë. Kjo mungesë nafte ka vënë në vështirësi financiare kompaninë Tosk duke e detyruar të ndalë punën për të disatën herë në uzinë. “Nga vlerësimi i informacionit të siguruar rezulton se ndërmarrja Tosk është furnizuar me sasi më të vogla se sasitë e parashikuara në kontratën e lidhur me Bankers. Kjo mënyrë furnizimi ka sjellë fikjen e rafinerisë së ndërmarrjes Tosk gjatë vitit 2018, ku shkaku kryesor i fikjes ka qenë mos furnizimi me lëndë të parë. Në kontratën e furnizimit me naftë bruto lidhur nga ndërmarrja Bankers me Tosk Energji, për vitin 2019, parashikohet një sasi më e vogël se kontrata e vitit 2018”, thuhet në vendim. Këto shkelje nga ana e Bankers kanë vazhduar edhe pas kërkesave të shumta të Tosk për furnizim sipas kontratës. “Sasitë e depozituara nga Bankers të pamjaftueshme për funksionimin normal të Rafinerisë, ndërkohë që Tosk ka kërkuar një furnizimin me sasinë e nevojshme me një çmim me të njëjtat kushte si të kontratës së mëparshme”, thuhet në vendim. Mundësitë për abuzime të kontratave dhe përdorimin e naftës, Bankers duket se e merr nga fuqia dominuese që ka në treg. Sipas shqyrtimit të bërë nga AK, kjo kompani zotëron pjesën më të madhe të prodhimit të naftës krahasuar me ndërmarrjet e tjera në vend. “Bankers Petroleum Albania LTD rezulton të ketë pjesën më të madhe të prodhimit të naftës, ndërsa ndërmarrjet e tjera kanë një pjesë shumë të vogël, prandaj konkurrenca në këtë treg është në nivele të ulëta. Sasia e naftës së prodhuar varet nga rezervat natyre në vendburimet përkatëse të naftës nga ku rezulton se vendburimi që zotëron ndërmarrja Bankers Petroleum Albania LTD ka rezervat më të mëdha të naftës në vendin tonë. Duke marrë parasysh pjesët e tregut përkatës të ndërmarrjeve, barrierat për hyrjen në treg. Ndërmarrja Bankers Petroleum Albania LTD ka pozitë dominuese në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto në Republikën e Shqipërisë’, thuhet në vendim. Siç shprehet më lartë, këtë pozicion Bankers duket se nuk e shfrytëzon për mirë. Sepse duke qenë dominuese në prodhimin e naftës bruto, ajo shkakton kolaps në proceset e tjera të përpunimit dhe shitjes nga kompanitë e tjera duke sjellë në mënyrë të përshkallëzuar, daljen jashtë tregut të këtyre ndërmarrjeve.
Ja shkeljet e tjera të Bankers Petroleum Albania LTD
Çështja e mos zbatimit të kontratave është vetëm një nga shkeljet e Bankers. Sipas vendimit të publikuar nga AK, Bankers rezulton të ketë anashkaluar ligjin në lidhje më eksportet e naftës. Në vendim sqarohet se kjo kompani ka eksportuar më tepër seç lejohet prodhim nafte, madje edhe me një çmim ndryshe nga ai i shënuar në projektligj. “Çmimi i shitjes së naftës bruto nga ndërmarrja Bankers Petroleum Albania Ltd ka ardhur në rritje nga viti 2016 në vitin 2018”, thuhet në raport. Por, operatori ka kundërshtuar duke thënë se çmimi i naftës së eksportuar është i njëjtë me atë vendas. Ndër të tjera në vendim thuhet se Bankers ka lidhur kontrata me disa kompani, në rastin konkret me Al.Global Oil SHA, pa i qartësuar të gjitha pikat që duhet të përmbajë një kontratë. Pra, siç duket përftimet e njërës kompani i kalon tek një tjetër. “Ndërmarrja Bankers ka lidhur me ndërmarrjen Al.Global Oil SHA kontratën e shitjes së naftës bruto datë 01.04.2018 për furnizime për periudhën prill – dhjetor 2018. Kjo kontratë nuk parashikon sasinë e furnizimit, ndërsa çmimi i shitjes është i njëjtë me atë të Tosk”, thuhet në raport. Por, edhe për këtë kompani rezulton të ketë furnizim të ulët nafte. Gjithashtu pas kërkesës së Autoritetit të Konkurrencës për paraqitjen e kontratave më të gjitha kompanitë, Bankers ka kërkuar shtyrjen e afatit për dorëzimin e tyre.
Esmeralda Hida