Ekspozita “Tingulli, imazhi dhe teknologjia” u çel për publikun nëkuadër të 27 tetorit, Ditës Botërore të Trashëgimisë Audiovizuale.Ekspozita është organizuar nga Departamenti i Folklorit, pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, kuruar nga Mikaela Minga, në bashkëpunim me Robert Çollakun dhe Elvis Gorican. Nëpërmjet kësaj ekspozite publiku njihet me disa prej instrumenteve dhe teknologjive që, ndër vite, u kanë mundësuar etnomuzikologëve, etnologëve dhe folkloristëve të regjistrojnë në zë dhe figurë praktikat dhe kulturën ekspresive të Shqipërisë dhe komuniteteve shqipfolëse jashtë saj. Kuratorja Mikaela Minga shprehet se në fokus janë teknologjitë, jo thjesht si artifakte mekanike, sesa si bartëse të një lidhjeje komplekse me jetën njerëzore; bartëse të proceseve të përsëritshme sociale, kulturore dhe materiale, të kristalizuara në mekanizma të caktuar.“Kjo është arsyeja pse këtë ekspozitë menduam t’ia kushtonim Mexhit Daiut, muzikant, mbledhës dhe transkiptues i muzikës tradicionale, ndër të parët që u angazhua pranë Institutit të Folklorit (sot IAKSA). Duke nderuar figurën e tij, dëshirojmë të sjellim vëmendjen te marrëdhëniet e njeriut me teknologjinë brenda Arkivit audiovizual të Departamentit të Folklorit. I krijuar në vitin 1960, ky është bartës sa i një kujtese kolektive të regjistruar e ruajtur në njësi fizike, aq edhe i një kujtese teknologjike”, shprehte kuratorja. Sipas Mingës, shumë prej aparaturave që ekspozohen i përkasin një teknologjie tashmë të kaluar, por që është ende në funksion. “E ndërsa të tjera zhvillime teknologjike i kanë zëvendësuar, nuk duhet të harrojmë se ato mbeten tepër të rëndësishme për riprodhimin e regjistrimeve historike. Nuk duhet të harrojmë që në momentin që mungon një aparaturë për riprodhimin e tingullit, “vdes” edhe njësia e regjistruar. Kjo duhet të na ndërgjegjësojë për rëndësinë e tyre historike dhe aktuale”, vijon kuratorja.
Aktiviteti i muzikologut
Mexhit Daiu, lindi në Elbasan në vitin 1914, si pinjoll i një familjeje të njohur bejlerësh (xhaxhai i tij, Shefqet Daiu, ishte një ndër firmëtarët e Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë). Kreu liceun e Korçës dhe më pas shkoi në Rumani për studime në Konservatorin e Bukureshtit. Për shkak të LIIB vijon studimet për dirigjim koral në Milano, në Konservatorin Giuseppe Verdi, në periudhën 1941-1944. Pas kthimit në atdhe, fillon veprimtarinë muzikore në Elbasan, duke drejtuar korin e parë të shkollës pedagogjike të Elbasan, në ditën e çlirimit. Në vitin 1947 e arrestojnë dhe më 5 janar 1948 e dënojnë se “ka marrë pjesë në një organizatë tradhtare, “Balli Kombëtar, bashkimi kombëtar dhe tekniko-intelektual”. Për këtë e dënojnë me 20 vjet burg me punë të detyruar, konfiskim të pasurisë dhe humbjen e të drejtës politike për 5 vjet. U lirua më 27 prill 1949 dhe shkon në Gjirokastër ku punon si përgjegjës muzike pranë Shtëpisë së Kulturës. Në vitin 1954 kthehet në Tiranë dhe fillon punën në Estradën e qytetit, si dirigjent. Luante violinë, piano dhe fizarmonikë. Është kompozitor i disa këngëve të muzikës së lehtë në Festivalet e Këngës në Radio. Ndërkaq, fillon punë në Institutin e Folklorit në vitin 1961 dhe deri në ndarjen e tij nga jeta, do të jetë figura qendrore në mbledhjen e muzikës tradicionale gjatë ekspeditave të Institutit si dhe transkiptues i tyre, në botimet muzikore që Instituti nxori gjatë asaj periudhe. Për fat të keq, kanë humbur, transkiptimet origjinale të bëra prej tij dhe të lëna në arkiv, por kemi magnetofonin Grunding me të cilin punonte për të bërë transkiptimet. U nda nga jeta në vitin 1969.
Nga Julia Vrapi