Diplomatja Yuri Kim, që është propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump për ambasadore në Tiranë do të dalë në një seancë dëgjimore para Senatit në datë 29 tetor. Seanca dëgjimore në komisionin e jashtëm të Senatit është pengesa e fundit përpara se Yuri Kim të marrë miratimin për të udhëtuar drejt Shqipërisë për të marrë detyrën e re. Kim u propozua nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, që në muajin qershor për të zëvendësuar Donald Lu. Ajo është një diplomate karriere që ka mbajtur funksione të ndryshme dhe detyra të larta në shërbimin e jashtëm amerikan. Yuri Kim me origjinë aziatiko-amerikane është zyrtare e lartë e shërbimit të jashtëm amerikan, e cila ka punuar në poste kryesore dhe ka mbuluar rajone të shumta, duke përfshirë Kinën, Korenë e Veriut, Turqinë, Irakun dhe NATO-n. Në Departamentin e Shtetit ajo ka drejtuar zyrën e Evropës Jugore. Më herët ajo ka qenë drejtoreshë për qendrën e studimeve për diplomaci në Departamentin Amerikan të Shtetit, si dhe shefe e kabinetit e zv. Sekretarit të Shtetit. Ajo ka shërbyer gjithashtu si asistente speciale e ndihmës Sekretarit të Shtetit për Azinë Lindore dhe Paqësorin. Në këtë rol, ka qenë pjesë e delegacionit amerikan në bisedimet shumëpalëshe mbi programin nuklear të Koresë së Veriut. Gjithashtu Kim ka qenë Konsulle Politike në Ankara dhe në Bagdad dhe anëtare e delegacionit të SHBA-së në bisedimet që synojnë denuklearizimin e Koresë së Veriut. Diplomatja Yuri Kim e propozuar nga presidenti Trump pritet të zërë vendin e ambasadorit Donald Lu. Ajo zotëron në mënyrë të mirë gjuhën koreane, kineze, japoneze si dhe turqisht. Që prej majit të 2018-ës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë nuk ka një drejtues. Pas largimit të ambasadorit Donald Lu, drejtimin e ka marrë e komanduara e SHBA Leyla Moses Ones, deri në momentin që Yuri Kim të marrë detyrën e re si ambasadore e SHBA në Tiranë